Shpopullimi i vendit, fshatrat si “azile” të moshuarish

Emigrimi mbetet një plagë e hapur sociale për shoqërinë shqiptare. Zonat rurale po braktisen gjithnjë e më shumë, pasi aty mungojnë mundësitë dhe politika efikase për të zhvilluar normalisht jetën. Ndërkohë fenomeni duket se është mbarë-kombëtar.

Të rinjtë po largohen në masë, duke shpopulluar zona, të cilat dikur numëronin me qindra familje. Një i tillë është edhe fshati Kokrevë i Librazhdit.

Gazetarja e Euronews Albania Edlira Xherri, ka bërë një pasqyrim të jetesës në fshatin Kokrevë të Librazhdit, tashmë e banuar vetëm nga mosha e tretë.

“Dikur fshati Kokrevë në Bashkinë e Librazhdit, banohej nga qindra banorë, tashmë në këtë fshat kanë ngelur vetëm mosha e tretë, e cila tregon se përballet çdo ditë me vështirësitë e jetesës vetëm. Ndërsa rinia për shkak të mungesës së kushteve vazhdon të emigrojë.”

Një banore e këtij fshati, tregon se kushtet aktuale kanë bërë që të rinjtë të largohen dhe se prania vetëm moshës së tretë, e bën akoma më të vështirë jetesën.

“Po ka ngel mosha e tretë se fëmijët kanë ikur, nuk iu del këtu. Edhe ne i kemi shitur të gjitha, pak sa jetojmë kështu po fëmijët kanë ik janë largu nga këtu. Rinia ikën se nuk i kanë kushtet, nuk i del rroga, nuk u del hesapi dhe andej janë të gjithë. Është shumë e vështirë të jetojmë vetëm ne pleqtë këtu se ata jetojnë larg mund të vijnë një herë në 6 muaj, nuk u del atyre që të vijnë shpesh”, tha Qerime Stafa, banore e zonës.

Në vitet 90’, ky fshat numëronte me qindra banorë. Kryesisht ata merreshin me bujqësi, ndërsa sot, në ato pak shtëpia të banuara, takon vetëm të moshuar, të cilët janë braktisur nga fëmijët për shkak se këta të fundit kanë emigruar.

“70-80 familje, është përgjysmuar pothuajse i gjithë fshati. Për vete kushtet e emigrimit dhe ekonomia e dobët. Kshuqë si për të gjithë shqiptarët edhe fshati jonë kërkon punësim për të gjithë të rinjtë që të mos braktiset vendi, sepse ky vend është shumë i shenjtë”, tha Hajdar Hysa, banor i fshatit.

Qerime Stafa shtoi gjithashtu se edhe pse përballen me një jetesë të vështirë, përsëri nuk ua imponojnë dot fëmijëve të tyre të kthehen në vend.

“Shumë e vështirë është po si them dot fëmijëve lini punët, kthehuni, kanë hallet e veta. Ata e kanë më të vështirë se ne. Me përpara kishim kushte të vështira po ishim të gjithë bashkë, kështu ishte për të gjithë. Tani s’ka punë”, tha ajo.

Largësia nga qyteti i Librazhdit nuk është më shumë se 35 km, ndërsa fshati Kokrevë është pjesë e njësisë administrative Hotolishtit. Aktualisht mbi 40 shtëpi janë të pabanuara, ndërsa numri I banorëve që jetojnë ende në fshat është më pak se 50, shifra këto që tregojnë shpopullimin e zonës. Kjo situatë është krijuar për shkak të mungesës së politikave të frenimit të emigracionit, pasi mungon oferta e tregut, të cilën të rinjtë e gjejnë në emigracion, ose në zonat urbane.

Artikulli paraprakSkandali me pulën e infektuar/ Kompania AMG importoi mishin e infektuar, “Dimal” e shpërndau në treg (VIDEO)
Artikulli tjetërNdikimi i ndërrimit të orës/ Psikiatrja: Ndryshimi i humorit, përqëndrimit dhe gjendjes emocionale