Shpresa e vetme e këtij vendi janë sheshet e revoltës

Besnik ALIAJ

Sot komiteti ekzekutiv i rrethit të Tiranës demaskoi dhe shkatërroi përfundimisht grupin më të madh armiqësor në historinë e vendit. Mazhoranca (PS Rilindje LSI dhe gjithë partitë e vogla rrotull që hanë pilafin e saj pa përjashtim) i treguan vendin e merituar çdo kundërshtari të diktaturës së proletariatit, njësoj si një herë e qëmoti.
Shokët e udhëheqjes së partisë pastaj u treguan vendin personalisht çdo armiku të klasës, duke ekzekutuar një nga një çdo këshilltar opozitar dhe çdo ide revizioniste rreth “lirisë së fjalës”! Mes brohoritjeve dhe entuziazmit u vendos që pikërisht për inat të armiqve Tirana të kthehet e gjitha në një landfill gjigant?
Madje çdo lagje do të ketë në këtë kuadër këndin e vet të riciklimit ku do luftohen në gjenezë të gjitha shfaqjet e huaja në popull! Gjithashtu partia mendon se populli kërkon që në parkun e liqenit dhe tek Sheshi “Skënderbej” të vijojnë të zbrazen disa qindra mijëra betoniera më shumë se ato deri tani, dhe se pronat e shqiptarëve është më mirë t’jua japin italianëve meqënëse ata janë më hallexhinj!
Më tej ç’janë fusha e prona të bashkisë që mbeten të lira t’u jepen shokëve të partisë në përdorim për 50-100 vjet që ata të punësohen me që po vijnë edhe zgjedhjet, dhe dimri nuk u siguron dot rendimente të larta të bujqësisë tymosëse! Nga sot në fakt opozita dhe gjithë ata që mendojnë ndryshe nuk ekzistojnë me! Ata janë ekzekutuar përfundimisht! Hijen e tyre mund ta gjeni në Spaç! Sot gjithë Shqipëria është përfundimisht Spaç për aq sa opozita nuk do refuzojë përfundimisht gjithë institucionet që tashmë kanë rënë.
Ka rënë shteti, demokracia, kanë rënë shumë shtylla të tjera si media që as nuk shikon e as nuk dëgjon më nga ky krah! Shpresa e vetme tani janë vetëm rrugët dhe sheshet të mbushura me popull dhe opozitë bashkë, të mirëpajisura me maska kundër efektit opium! Po për këtë tashmë opozita duhet të bëjë një kapërcim të madh!
Të heqë dorë urgjent nga statuskuoja e trashëguar dhe të shkojë me përulje sa nuk është vonë skutë më skutë të këtij vendi ku ende gëlon shpirti qytetar, ku nuk pihet ende hashash, dhe ende nuk shitet vota për bukën e gojës. Këta nuk janë pak. Këta janë shumica, por ata duhet të ndërtojnë besim tek vetë opozita! Vetëm sheshet plot me popull opozitarë e bëjnë esëll këtë marrëzi!

Exit mobile version