Shpresa tek drejtësia amerikane, kush ka marrë kaparin 30 milionë euro të Unazës

Lulzim BASHA

Gjithsecili prej jush e di se çfarë do të thotë të çosh një fëmijë në universitet. Skenari i shpenzimeve për një student për një familje mesatare shqiptare është ky:
1. për tarifën mesatare vjetore bachelor 25 mijë lekë,
2. master 100 mijë,
3. konvikt dhe ushqim 220 mijë,
4. libra 15 mijë,
5. telefon – abone – transport urban dhe të tjera 25 mijë.
Në total për 3 vite bachelor dhe për 2 vite master një familje shqiptare duhet të shpenzojë afro 1 milionë 575 mijë lekë të reja apo afro 15 milionë lekë të vjetra.
Që të mundësojë shpenzimet për një fëmijë të vetëm në universitet, një familje mesatare shqiptare duhet të kursejë afro 875 mijë lekë të vjetra në vit, më shumë se 4 paga minimale mujore. I bie afro 72 mijë lekë të vjetra në muaj që duhet të kursejë çdo familje mesatare shqiptare që çon një fëmijë në universitet. I bie afro 35 % e pagës minimale mujore.
Këto janë shifrat, por në fakt janë më shumë se shifra. Janë të shkruara në vragat e fytyrave të nënave dhe baballarëve shqiptarë, janë të gërvishtura në xhepat e tyre të boshatisur, janë të shprehura në tavolinat e tyre të zbrazura.
Sepse të çosh sot një fëmijë në universitet në Shqipëri është një sakrificë e jashtëzakonshme financiare, e papërballueshme për shumicën dërrmuese të familjeve.
Ky është skenari i shpenzimeve për një student. Po familjet që aspirojnë të çojnë më shumë se një fëmijë në universitet? E kuptoni, fatura bëhet totalisht e papërballueshme.
Propozimet e PD për zgjidhjen e problemit të shkaktuar nga praktika e ligjit korruptiv të arsimit të lartë dhe buxheti korruptiv i shtetit në këto 5 vite janë të qarta: dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë nga 74 milionë dollarë në afro 150 milionë dollarë.
Propozimi ynë është që ky dyfishim të përdoret në dy mënyra.

Së pari, fasha e studentëve që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj të përfitojnë subvencionim të plotë të tarifës nga buxheti i dyfishuar për arsimin e lartë.
Nga kjo do të përfitojnë afro 112 mijë studentë të cilat sipas projeksioneve të censusit dhe INSTAT i përkasin familjeve me të ardhura minimale prej 640 mijë lekësh në muaj, të përllogaritura sipas minimumit jetik prej 160 mijë lekësh në muaj shumëzuar me 4 anëtarë në familje. Efekti buxhetor do të jetë afro 3.6 miliardë lekë, 36 milionë dollarë.
Së dyti, fasha e dytë e studentëve që vijnë nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj është afro 10 % e numrit të studentëve në universitetet publike.
Sipas projeksioneve të censusit dhe të INSTAT-it, shpenzimet mesatare të familjeve nga vijnë këta 10 % e studentëve, janë afro 1 milionë e 500 mijë lekë të vjetra në muaj. Mund të themi pra me siguri, se nuk i përkasin një fashe që mund të konsiderohet e varfër apo e pamundur në Shqipëri. Për këtë fashë të studentëve, propozimi i Partisë Demokratike është përgjysmimi i tarifës. Efekti financiar është 2 milionë dollarë, vetëm 200 milionë lekë në vit.
Pra, me dyfishimin e buxhetit për arsimin e lartë, 38 milionë dollarë duhet të kalojnë si trasfertë direkte universiteteve publike vetëm për tarifat e studentëve.
Mbeten afro 37 milionë dollarë të tjerë, nga të cilat duhet të destinohen së paku 5 milionë të tillë për politikën sociale të shpenzimeve për familjet që janë shumë më poshtë se mimimumi prej 640 mijë lekë në muaj.

Për këto familje, që janë në ndihmë ekonomike dhe pa ndihmë ekonomike apo me atë ndihmë ekonomike lëmoshë, të cilat nuk sigurojnë dot as mjaftueshëm para për të blerë bukën e thatë, për këto familje është totalisht e pamundur ta paguajnë koston minimale prej afro 2200 dollarësh në vit, 2 milionë e 200 mijë lekësh të vjetra, që janë pagesat vjetore për konvikt/qera dhe afro 6 mijë lekë të vjetra për ushqim, shifra që natyrisht nuk i thonë asgjë, as parafolësit dhe as racës së tij në pushtet.
5 milionë dollarë duhen pra për të ndihmuar këtë numër studentësh, duke qenë konservatorë dhe jo dorëlëshuar, por duke bërë të mundur që edhe për ato familje në nevojë ekstreme, që nuk kanë mundësi të paguajnë asnjë lek për fëmijët e tyre, buxheti i shtetit t’u vijë në ndihmë.
Kjo do të lërë afro 32 milionë dollarë për politikat e tjera, që do të shkojnë për infrastrukturën konviktore, auditoret, bibliotekat, IT-në, rritjen e cilësisë së mësimdhënies në tërësi.
Sa ka shtuar banda e hajdutëve në buxhet krahasuar me vitin që po lëmë pas? 200 mijë dollarë ka shtuar krahasuar me vjet dhe brenda këtyre 200 mijë dollarëve, ky mashtrues (Arben Ahmetaj) këtu thotë se do të jap para edhe për ata që s’kanë, që janë në ndihmë ekonomike, edhe përgjysmim tarifash, edhe këtë edhe atë. Çdokush e ka të qartë se janë mashtrime, janë gënjeshtra.
Nuk ka vendosur mjaftueshëm para në buxhet për të paguar as për 100 studentë në ndihmë ekonomike. Pse?
Sepse Në buxhetin e vitit 2019, 18 milionë dollarë, Edi Rama i ka ndarë për shpenzime luksi për rikonstruksione, ndërtime, pajisje zyrash, kompjuterike dhe blerje makinash për bandën e hajdutëve.
21 milionë dollar të tjerë i ka shtuar shpenzimet operative, biletat e avionëve, hotelet e luksit ku derdhet parja lumë për orgjitë qeveritare.

Vetëm vitin e ardhshëm, 12 milionë dollarë i ka parashikuar për Viktoria Invest, për Salillarin, për Biba X, DH-në apo për këdo tjetër që do ta zëvëndësojë në megavjedhjen e unazës dhe në pastrimin e parave të pista, ku shpresoj që drejtësia amerikane do të çojë drejt rezultateve të pritura për shqiptarët edhe politikanët që kanë marrë kaparin.
Tre inceneratorët e Arben Ahmetajt, 21 milionë dollarë do t’i japë Klodianit të vet që ka regjistruar kompanitë në parajsat fiskale në Holandë.
Prandaj ka lënë vetëm 200 mijë dollarë shtesë për studentët.
Tre PPP-të në shëndetësi, Vilma, Ilir Rrapaj, Jani Karathano, do të marrin vitin e ardhshëm 33 milion dollarë.
Pra, në total po t’i mbledhësh këto, 105 milion dollarë.
Shumë më shumë sesa duhen për dyfishimin e buxhetit të arsimit të lartë.
Nuk po futemi këtu te Kastrat-Salillari me 6.8 milion dollarë, tek Gjoka me 26 milion dollarë dhe shumë të tjera, të cilat do të kemi kohë t’i marrim një nga një ne dhe, së shpejti, drejtësia.
Siç e shikoni, lekë ka për të dyfishuar buxhetin e arsimit të lartë, po nuk ka vullnet. Vullneti i Edi Ramës dhe i bandës së tij të babëzitur të hajdutëve, që kanë kaluar në overdozë parash, është që këto para t’i vjedhin dhe t’i bëjnë rrush e kumbulla.
Natyrisht, vetëm dyfishimi i buxhetit nuk mjafton.
Duhet një reformë e thellë, e cila fillon me anulimin e ligjit për arsimin e lartë. Duhet një reformë e thellë që duhet të udhëhiqet nga parimet e demokratizimit, mirëmenaxhimit, përgjegjësisë së mësimdhënies, përmes transparencës dhe vlerësimit të pavarur, rankimit të famshëm që kurrë nuk erdhi.
Sepse studentët nuk duan thjesht dhe vetëm ulje tarifash dhe rritje shpenzimesh për ta, por, mbi të gjitha, duan që paratë e taksapaguesve, të prindërve të tyre, të shkojnë për shpenzime të drejta.
Reforma duhet të jetë e thellë dhe e gjithanshme.
Partia Demokratike ka një platformë, të cilën do ta diskutojë me pedagogët dhe studentët.
Por sot le të mjaftohemi me këtë të vërtetë që nxjerr zbuluar autorët e kësaj farse: Para ka, por hajdutët i duan vetëm për vete!

Exit mobile version