“Shpresat”, Bushi me risi, premton maksimumin

Gjak i ri në kombëtaren shpresa të drejtuar nga Alban Bushi, i cili nis zyrtarisht punën për ndeshjen miqësore në datën 5 qershor ndaj Francës dhe atë zyrtare ndaj Estonisë më 12 qershor, ora 20:00. Trajneri i kuqezinjve ka arritur të bëjë një revolucion në radhët e 21-vjeçarëve ku bien në sy shumë emra debutues, një miks mes lojtarëve që aktivizohen në Kategorinë Superiore dhe në kampionatet e huaja. Ilirian Ceka në pozicionin mbrojtës i majtë do të debutojë në kombëtaren shpresa bashkë me disa emra të tjerë ku bie në sy mbrojtësi i Tiranës, Albi Doka, i cili sapo mbylli një sezon pozitiv me fanellën bardheblu në aspektin personal. Një tjetër risi është edhe mbrojtësi i Grasshopers, Arjan Qollaku. Trajneri Alban Bushi e pranon se ka në dispozicion një skuadër shumë të re, por edhe të talentuar. Miqësorja e 5 qershorit ndaj Francës në vendin tonë është një test shumë i rëndësishëm për kuqezinjtë në prag të debutimit për fazën eliminatore të Euro 2019, ku Shqipëria është shortuar në Grupin 2 dhe do të sfidojë Estoninë pak ditë më vonë.
“Trajneri ka presion, por këta janë lojtarët më të mirë të mundshëm që kemi zgjedhur. Duhet të mendojmë vetëm për miqësoren me Francën dhe do të kërkojmë të bëjmë lojën tonë me skemë sulmuese në të dyja ndeshjet. Të japim maksimumin në të dyja takimet”, tha ai.
Bushi nuk e pranon që skuadra e grumbulluar ka pak sulmues cilësorë në dispozicion, duke theksuar se skema ofensive nuk lidhet me emrat e lojtarëve, por me pozicionimin e tyre në fushën e lojës dhe dëshirën që do të tregojnë për ta sulmuar kundërshtarin. Në vijim, ai ndalet edhe te emrat e thirrur nga Kategoria Superiore, duke nënvizuar se pret shumë prej lojtarëve që u ka dhënë besim.

Exit mobile version