Tashmë është zyrtare, Shqipëria do të përballet me Norvegjinë në sfidën e parë miqësore pas përfundimit të eliminatoreve të “Rusi 2018”, ku Shqipëria u rendit e treta në grup. Federata Shqiptare e Futbollit ka rënë dakord me homologen norvegjeze që kjo ndeshje të luhet më 14 nëntor, në “Elbasan Arena”, pikërisht ditën kur do të mësohen edhe 2 përfaqësueset e fundit europiane që do të marrin pjesë në finalet e Botërorit.
Edhe për trajnerin Christian Panuçi do të jetë testi i parë miqësor, në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e europianit të ardhshëm dhe Ligës së Kombeve.
Kujtojmë se Panuçi, kur u emërua trajner i Shqipërisë, si pasues i De Biasit, nuk pati kohë të zhvillonte qoftë një ndeshje miqësore, ndaj në sfidën me nordikët do të ketë mundësi të bëjë eksperimente, për të krijuar një ide më të qartë për mënyrën sesi duhet të luajë Shqipëria në kualifikueset e ardhshme.