Shqipëria bie 12 vende në renditjen e FIFA-s

12 vende më poshtë në renditjen e FIFA-s. Është kjo “fatura” e humbjeve me Italinë dhe Bosnje-Hercegovinën në termat e klasifikimit botëror për kombëtaren shqiptare. Organizmi botëror i futbollit publikoi renditjen e përditësuar për muajin prill, ku Shqipëria renditet në vendin e 66, 12 shkallë më poshtë se muajin e kaluar pasi ka rezultuar një ndër skuadrat më të penalizuara të paktën në kontinent, për sa i përket renditjes së FIFA-s. Për Shqipërinë ky është pozicioni më i keq që nga 2011 ndërkohë që siç tregon edhe grafiku, kurba e lëvizjes në këtë renditje për 2017 vjen pothuajse në pikiatë. Për sa i përket rivalëve në grupin e eliminatoreve të Rusi 2018, Spanja vijon të qëndrojë e palëvizshme në vendin e 10-të, Italisë fitorja ndaj kuqezinjve dhe ajo në miqësoren me Holandën i kanë shërbyer për të ngjitur 3 vende duke u renditur në shkallën e 12, Maqedonia ka bërë një katapultim të vërtetë, plot 33 vende më sipër, diçka që i dedikohet jo vetëm fitoreve ndaj Lihtenshtejnit dhe Bjellorusisë, por edhe faktit se ishte shumë pas në klasifikimin e FIFA-s ku aktualisht zë vendin e 133, Izraeli ka humbur 7 vende duke u renditur i 63, ndërsa Lihtenshtejni ka humbur 5 vende duke u klasifikuar i 189. Nuk ka qenë një muaj pozitiv as për përfaqësuesen e Kosovës që u mund nga Islanda në “Loro Boriçi”, me skuadrën e Bunjakit që ka humbur 6 pozicione duke u renditur tani në vendin e 170, ndërsa kurba e një viti në klasifikimin e FIFA-s flet qartë për një fillim të vështirë. Renditja Botërore e FIFA-s ofron një zhvillim të bujshëm edhe për sa i përket kreut, me Brazilin, që pas plot 7 vitesh rikthehet të jetë në krye të klasifikimit, një lëvizje e bujshme për Selecaon që rimerr këtë vend pas fitoreve ndaj Paraguajit dhe Uruguajit që i siguruan edhe kualifikimin në fazën finale të Rusi 2018. Brazili zbret në vendin e dytë kështu rivalët Argjentinas, ndërkohë që në shkallën më të ulët të podit vazhdon të qëndrojë Gjermania.

Artikulli paraprakKreu i senatorëve të Forza Italia: Romani: Zgjedhjet me qeveri teknike
Artikulli tjetërSpaho: Rama mban shpresë për zgjedhjet tek partizat prostituta politike