Shqipëria bie përsëri në renditjen e FIFA-s

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka pësuar një tjetër rënie në renditjen e FIFA-s, ndonëse mbylli muajin shtator me 4 pikë të siguruara në dy ndeshje. Kuqezinjtë kanë humbur 3 pozicione në krahasim me një muaj më parë, duke mbajtur tani vendin e 66-të në klasifikimin botëror.
Fitorja me Lihtenshtejnin që gjendet në vendet e ulëta të klasifikimit, si dhe barazimi në fushën e Maqedonisë, e cila pozicionohej më poshtë Shqipërisë në renditjen e FIFA-s, ka bërë që kuqezinjtë të mos sigurojnë shumë pikë nga këto dy ndeshje sipas përllogaritjeve që bëhen për klasifikimin. Ndaj ata kanë parë veten të zbresin me tri pozicione, të kaluar këtë muaj nga Bolivia, Kina dhe Guinea.
Sa u përket kundërshtarëve të Shqipërisë në grupin e kualifikueseve, Spanja është në vendin e 11, Italia në vendin e 17 (-5), Izraeli në vendin e 82-të (-12), Maqedonia në vendin e 103-të (+32) dhe Lihtenshtejni në vendin e 137 (+3).
Sa i përket Kosovës, edhe ajo ka pësuar rënie pas dy humbjeve radhazi në kualifikueset e Botërorit. Përfaqësuesja e drejtuar nga Bunjaki mban vendin e 184-t, pasi ka humbur 4 pozicione në muajin e fundit në renditjen e FIFA-s.
Dy humbjet radhazi në eliminatoret e Botërorit me Finlandën dhe Kroacinë kanë ndikuar edhe në renditjen e Kosovës që nga vendi i 180 ka zbritur në pozicionin e 184-rt.
Përsa i përket 10-shes më të mirë, Gjermania ka zhvendosur në vendin e dytë Brazilin, ndërsa Portugalia ka fituar plot tri pozicione duke ulur në të katërtin Argjentinën. Belgjika gjithashtu është katapultuar nga vendi i 9-të në të 5-in, ndërsa më pas vijnë me radhë Polonia, Zvicra, Franca, Kili dhe Kolumbia.

Artikulli paraprakJoao Cancelo: Po punoj për rikthimin në fushë
Artikulli tjetërTë harrojmë Lacion