Nga Mirela Karabina
Piktura politike tashmë
është më e qartë se asnjëherë më parë: Rilindja dhe Rithemelimi janë në një betejë të paskrupullt me çdo çmim për të pengur drejtësinë SPAK dhe GJKKO duke ruajtur status quo-në.
Pengimi i rrotacionit politik nga këta politikanë po i kushton rëndë vendit dhe shqiptarëve, pasojat e të cilit do t’i vuajmë për shumë gjatë.
Pandëshkueshmëria e mosllogaridhënia i ka bërë politikanët-biznesmenë të fuqishëm e të paprekshëm.
Qëllimi justifikon mjetin”
(sipas interesit) apo “përça e sundo”, duket se zbatohet më së miri në këto dy subjekte.
Përmes miratimit të amnistisë penale që liroi të korrupuarit e Ramës dhe mbylljes së listave për deputetë për të siguruar “lojtarët” e tyre në parlament dhe duke i mohuar të drejtën qytetarëve të zgjedhin më të mirët, Rilindja dhe Rithemelimi hapur fare dëshmuan se interesi qytetar dhe i vendit nuk janë fare në filozofinë e tyre.
Tymi e flaka në parlament si vitin e kaluar, ashtu dhe këtë vit janë tregues i pazareve të pista mes R&R, dëshmues i politikës së shkëputur nga qytetarët, akte mjerane dhune apo kode mes tyre që përfundojnë në pazare në dëm të vendit dhe shqiptarëve.
PD-Demokratët Euroatlantikë mbështesin pa asnjë rezervë strukturat e drejtësisë SPAK e GJKKO, pasi po i bëjnë një shërbim të madh popullit shqiptar, po funksionon për herë të parë ndëshkueshmëria ndaj politikanëve dhe llogaridhënia.
Shqipëria listohet ndër vendet me korrupsion të lartë dhe e të fundit në botë në arsimim e edukim, sepse interesi personal politik ka kapercyer atë të shërbimit ndaj vendit.
Rilindja dhe Rithemelimi mund të përdorin çdo lloj mjeti për të arritur qëllimin e tyre, por tashmë janë totalisht të zhveshur në sy të gjithë botës si të korruptuar dhe ndalues të demokracisë.
Shqiptarët janë të vjedhur, të shpërfillur, të varfër, të keqtrajtuar por nuk janë budallenj.
Ndaj, shqiptarët meritojnë të jetojnë mirë e me dinjitet në vendin e tyre dhe kudo janë.