Krim, drogë dhe prostitucion janë prurjet e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Skandalet e përditshme që prekin këtë mazhorancë, tregojnë se Mark Frroku, Armando Prenga, Arben Ndoka në Parlament nuk ishin aksidente, por pjesë e një organizate kriminale që ka marrë peng pushtetin në Shqipëri. Një kryetar bashkie që prostituon me një vajzë 20-vjeçare në këmbim të bukës së gojës, një drejtor rajonal transporti që trafikon qindra e qindra tonë drogë në Europë janë bërë lajme të zakonshme. Skandalet nuk kanë të sosur dhe pa marrë mirë jehonë njëri, shpërthen tjetri dhe lufta e vetme që dëgjon është mes PS-së dhe LSI-së se i kujt është pushti, i kujt është krimineli, pasi turpin e hanë së bashku.
Parlamenti, qeveria, administrata dhe çdo institucion që kontrollon kjo mazhorancë janë shndërruar në një njollë turpi për çdo shqiptar. Vrasës që arratisen me ndihmën e ministrit të Brendshëm, trafikantë droge që përdorin makinën e ministrit të Brendshëm, përdhunues që mbrohen nga ministri i Brendshëm, janë histori që mund të ndodhin vetëm në Shqipëri dhe në Shqipërinë e qeverisur nga Edi Rama. Fakte skandaloze të zbuluara nga media shqiptare dhe ajo ndërkombëtare tregojnë se ky pushtet është qelbur dhe qytetarët janë të shokuar se si mund të ndodhin këto gjëra në vendin e tyre. Edi Rama, ai që ka detyrimin për të folur, zgjedh të ndjekë ndeshje basketbolli dhe të përdridhet nëpër dasma, duke mos marrë përgjegjësi dhe si për ironi vesh edhe bluzën me mbishkrimin “WTF”.
I kërkuar nga gjithë policitë e Europës, Eskobari i Ballkanit trajtohet dhe shoqërohet si personalitet nga Kryeministri, ministri i Brendshëm dhe policia nuk guxon as ta ndalojë, as ta arrestojë. Kokëdhima thotë se Eskobari është ushtari i bandës së kryeparlamentarit, por policia dhe kufiri janë nën komandën e Ramës dhe Tahirit. Nuk duhej të shfaqej Balili për të mësuar se kriminelët kanë imunitet në këtë vend. Frroku, Prenga, Roshi, Bushi, Shullazi dhe qindra banditë të tjerë në këtë vend na kanë treguar se Edi Rama lë kokën për ta edhe kur vrasin policë, edhe kur vrasin qytetarët në komisariatin e policisë, edhe kur janë të dënuar për krime dhe ambasadori amerikan kërkon publikisht që të mos zgjidhen.
Këta janë një ndërmarrje kriminale që në krye të bizneseve kanë zgjedhur Edi Ramën dhe askush nuk guxon t’u afrohet. Nuk ka fatkeqësi më të madhe kur polici shqiptar i thotë policit grek se nuk mund të arrestojë kapobandën e një organizate kriminale që shpërndan drogë në Greqi, Itali, Belgjikë, Skandinavi, sepse nuk ia mban nga Kryeministri. Nuk ka fatkeqësi më të madhe kur polici detyrohet të lërë vendin e të kërkojë azil, pasi krimineli që kapi rezultoi se ishte ortaku-kushëri i ministrit të Brendshëm dhe Tahiri ia ka bërë benë. Nuk ka fatkeqësi më të madhe kur polici malazez kap vrasësin duke kaluar kufirin dhe drejtori i policisë i thotë lëreni të lirë se kam urdhër nga Kryeministri që të mos ta prekim. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa kur polici holandez ndalon vrasësin, ministri i Brendshëm falsifikon dosjen e vrasësit për ta lënë të lirë. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa kur kryepolici i Tiranës bëhet shoferi i kryemafiozit të kokainës dhe i ofron skafin e ministrit të Brendshëm për t’u arratisur. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa kur shteti vihet nën kontrollin e bandave kriminale.
Janë shumë që kërkojnë të dinë se si mund të marrë fund kjo gjendje, se cila është rrugëdalja, se çfarë duhet të bëjnë shqiptarët, çfarë duhet të bëjnë ndërkombëtarët. Këta të fundit mund të bëjnë diçka, por kurrë nuk mund ta ndryshojnë. Askush nuk mund të thotë se krimi mundet me vota apo mjete demokratike. Po të ishte kështu nuk do të kishte polici. Rruga e vetme për të mundur krimin qeveritar është forca e qytetarëve të lirë deri në largimin e këtyre fundërrinave nga pushteti. Këta banditë forcën e shqiptarëve duhet ta shohin në rrugë, përballë zyrave të tyre që i kanë shndërruar në bordello, atje ku jepen tenderat, atje ku firmosen koncesionet, atje ku mbjellin drogën, atje ku lirohen kriminelët, atje ku bllokohen bizneset e pista të pushtetarëve. Kryebashkiaku i Mallakastrës shkatërroi dje një plantacion me drogë, nesër në Tiranë duhet ndaluar një koncesion, diku tjetër duhet bllokuar një tender. Forca e qytetarëve duhet për të mbrojtur një vajzë 20-vjeçare, për të mbrojtur paratë dhe pasuritë publike, për të mbrojtur të sotmen dhe të ardhmen e atyre që kanë zgjedhur të jetojnë në këtë vend. Bandë bëjnë qelbësirat dhe burracakët. T’ua tregojmë vendin një orë e më parë. Rama le të vazhdojë të krihet, por këtë vend të mos e lëmë të digjet!