Shqipëria do fitore me Rumaninë

Ndaj Rumanisë për të marrë pikët e para në një kampionat europian, por edhe për të thyer një tabu që zgjat për plot 68 vjet. Edhe pse luan kundër historisë dhe çdo parashikimi, të dielën në Lyon, Shqipëria e Gianni De Biasit do të synojë suksesin e parë në grupin A të Euro 2016, me shpresën se një fitore ndaj rivalëve ballkanas mund t’i mjaftojë për t’u kualifikuar në ruandin e 1/8-ve.
Megjithatë, stastikat nuk flasin aspak në favor të Shqipërisë. Me Rumaninë që është edhe një nga përfaqësueset që është ndeshur me shpesh, kombëtarja kuqezi numëron në total 2 fitore në 17 ndeshje dhe që prej vitit të largët 1948 nuk ka arritur të triumfojë në një ndeshje ndaj tyre.
Përballja e parë mes Shqipërisë dhe Rumanisë daton në 13 tetor të 1946. 1-0 për kuqezinjtë përfundoi ajo sfidë që u pasua me suksesin e parë dhe të vetëm në një kompeticion të rëndësishëm, triumfin në Ballkaniadë. 1 vit më pas, Rumania i ktheu reston Shqipërisë, duke e mposhtur me rezultatin e thellë 4-0, ndërsa në ballkianiadën e vitit 1948 kuqezinjtë regjistruan edhe fitoren e dytë dhe të fundit deri më sot në ndeshjet ndaj Rumanisë, pasi arritën një tjetër sukses me shifrat 1-0.
Më pas gjithçka ka folur për Rumaninë që në 14 ndeshje nuk është mundur asnjëherë nga përfaqësuesja jonë duke koleksionuar 11 fitore dhe vetëm 3 barazime në takimet e Ballkaniadave, sfidat kualifikuese dhe ato miqësore. Fitoren më të thellë Rumania e ka shënuar në 8 tetor të 1950 me rezultatin 6-0, ndërkohë që takimi në një fushatë elimintoresh ka qenë ai zhvilluar në Bukuresht në vitin 1972 që u mbyll me fitoren 2-0 të rumunëve. Kjo kombëtare triumfoi ndaj Shqipërisë edhe në sfidën e kthimit të zhvilluar në Tiranë një vit më pas, po për kualifikueset e Botërorit 1974.
Për të parë një rezultat pozitiv të kombëtares kuqezi ndaj Rumanisë duheshin pritur kualifikueset e Euro 2012-të, teksa në 3 shtator të 2010-ës në Piatra Neamt, Shqipëria barazoi 1-1 ndaj Rumanisë me Gjergji Muzakën, që iu kundërpërgjigj golit të Stancut. 13 muaj më pas në Tiranë Hamdi Salihi u duk sikur i dha një tjetër fitore kuqezinjëve ndaj rumunëve, por Luchin barazoi rezultatin në 1-1.
Ndeshja e fundit mes këtyre dy përfaqësueseve është miqësorja e 31 majit të vitit 2014, e luajtur në Zvicër dhe që përfundoi me suksesin 1-0 të rumunëve. Stastikat nuk janë aspak në favorin tonë, por këtë herë situata ndryshon, dhe kuqezinjtë i kanë të gjitha mundësitë për të mposhtur Rumaninë. Sfidat ndaj Zvicrës dhe Francës kanë shërbyer si një sinjal se kjo përfaqësuese ka potencial për t’i bërë keq çdo kundërshtari dhe ndoshta këtë herë ka ardhur koha që kuqezinjtë e Gianni De Biasit të thyejnë tabunë që mban emrin Rumani.

Exit mobile version