Avokati Spartak Ngjela i ka dhënë një goditje të fortë mazhorancës, lidhur me konfliktin që ka nisur me Kushtetuesen për mandatin e Olta Xhaçkës.
Teksa ka komentuar opinionin e Venecias, avokati Ngjela, ka deklaruar se pyetjet e dërguara te Komisioni kanë qenë evazive.
Sipas tij, si rregull nuk mund të ketë një deputet, një kryeministër në një vend demokratik që nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ajo nuk ka forcë ekzekutimi. Ai tha se fakti që nuk e respekton një vendim të tillë, do të thotë që është jashtë karakterit demokratik si kryeministër, ministër apo deputet.
“Si rregull duhet të vlejë opinioni i Venecias. Po se çfarë do bëjë GJK, duhet ta presim. Ato shtete demokratike, me Parlament demokratik, nuk kanë nevojë që të shkojnë vendimi i Strasburgut ose gjykatave të tjera ndërkombëtare deri në Gjykatën Kushtetuese, sepse e respektojnë menjëherë. Se ka vetëdije shtetërore. Pse kalojnë kështu këtu? Këta nuk kanë vetëdije shtetërore, kanë vetëdije personale: ‘Jam unë e s’ka tjetër’. E dinë veten mbret absolut. Po shqiptarët do i votojnë? Nuk e di! Do jetë opozita t’i tregojë opinionit publik si veprojnë këta me forcën e shtetit”, tha avokati.
Sipas tij, deri tani pyetjet kanë qenë evazive dhe herë-herë me dy kuptime. Kanë ardhur si pasojë e paaftësisë apo si pasojë e një dredhie politike pritet për t’u parë, shtoi avokati.
“Një analist i paanshëm thotë që Shqipëria po shkon drejt diktaturës. Gjykata Kushtetuese ka dalë si institucion jo vetëm për të mbrojtur Kushtetutën, por demokracinë, kur është formuar në Perëndim.
Mosrespektimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili është i arsyetuar, duhet të rrëzohet me një arsyetim. Rrëzimi i Gjykatës Kushtetuese që është i arsyetuar juridikisht duhet ta çosh në një gjykatë ndërkombëtare.
Ti vetë nuk e ke aftësinë për të thonë jo, por ke detyrimin për të thënë po. Detyrimi për të thonë ‘po’ nuk është ligjor, por sipas vullnetit tënd. Nëse ti nuk ke vullnet demokratik, nuk e pranon”, tha avokati në “MCN”, duke shtuar se kjo tregon që demokracia në Shqipëri është e çalë.