Çmimet e lira dhe ushqimet, që ende vijojnë të ruajnë shijen, mbeten një nga tërheqjet kryesore për turistët në Shqipëri, e evidentuar dhe në mediat e huaja, që së fundmi po shkruajnë shumë për vendin e shqiponjave.
“Nomadexpress” në një artikull të publikuar në vitin 2016, me titull “1 javë në Shqipëri” rendit arsyet kryesore përse Shqipëria duhet të jetë një destinacion “must” për t’u vizituar, ku mes tyre rendit edhe ushqimin e shijshëm dhe me kosto të lirë. Ja se çfarë shkruan: “Gjithçka është shumë e lirë. Për shembull: Një birrë 50 cl në restorant kushton rreth 1.5 euro; vakti kryesor i shijshëm nga 3-5 euro; akomodimi rreth 15 euro, Transporti është gjithashtu shumë i lirë”.
Në një renditje të fundit të “Numbeo.com”, Shqipëria renditet e 24-ta më e lirë në botë në Indeksin e Çmimeve të Restoranteve, me të dhënat e fundit të përditësuara në janar 2017. Renditja i mat çmimet në vlerë absolute dhe jo në raport me të ardhurat, por gjithsesi, për të tërhequr turistët çmimet e lira të ushqimeve përbëjnë avantazh.
Në Shqipëri, sipas indeksit, mund të konsumosh një drekë normale për 2 persona në një restorant mesatar (me tri pjata), me një çmim prej rreth 17 euro. Pavarësisht se është ndër më të lirat në botë, ka dy shtete në rajon ku ushqimi kushton më lirë, Maqedonia (rreth 14 euro) dhe Bosnja (rreth 16 euro).
Gjithsesi, nga vendet bregdetare në rajon, Shqipëria është më e lira. Në Mal të Zi, një drekë (normale, pa prodhime deti) për dy persona shkon mesatarisht 25 euro, në Kroaci 27 euro, për të mos folur pastaj për Greqinë e Italinë, me përkatësisht 32 euro dhe 53 euro.
Në Shqipëri, ajo që i habit më shumë turistët e huaj janë prodhimet e detit që janë të freskëta dhe me çmime shumë të lira. Durrësi dhe Saranda janë dy qytetet që veçohen më shumë nga turistët për të konsumuar prodhimet e detit.
“2driftingcoconuts” është një nga blogjet e shumta që ka veçuar Shqipërinë si destinacion ushqimi. Drejtuesit e këtij blogu kanë realizuar një udhëtim trejavor në Shqipëri vetëm për t’u njohur me veçantitë kulinare. Në artikullin e tyre “Hungry Planet”, një vendi i veçantë i dedikohet edhe Shqipërisë. “Të hash në Shqipëri është një aventurë e vërtetë shijesh. Të konstatoje se veçantinë e ushqimit shqiptar ishte më shumë e vështirë nga sa mund të mendohej. Ka ngjashmëri me vendet e tjera të Mesdheut, si Greqia apo Italia. Prodhimet e detit të bollshme dhe të përballueshme ishin një nga surprizat më të këndshme për ne. Çdo ditë për drekë ne porosisnim fruta deti dhe peshk në skarë dhe sallata. Dhe së bashku me pijet nuk na kushtonin më shumë se 15 USD për person”.
Restorantet më të lira dhe shtetet ku drekohet me 100 euro
Shtetet me restorantet më të lira në botë, ku një drekë për dy persona kushton më pak se 10 euro janë Nepali, India, Pakistani dhe Sri Lanka. Të lira janë edhe Indonezia, Malajzia, Bangladeshi.
Në Europë, shteti më i lirë për të ngrënë jashtë është Moldavia, më pas renditet Maqedonia, Bosnja, Ukraina, Gjeorgjia dhe Shqipëria.
Edhe Tajlanda, një vend ekzotik, që po bëhet i preferuar për aventurierët shqiptarë, ka ushqim të lirë, ku një drekë për dy persona shkon rreth 17 euro.
Ishujt Bermuda renditen si shteti më i shtrenjtë në botë, ku për një drekë duhet të matesh mirë, pasi kushton mesatarisht 120 euro. Edhe në Islandë, fatura nuk vjen më pak se 100 euro. Edhe në Zvicër e Norvegji, duhet të shpenzoni gati 100 euro.
Në përgjithësi vendet nordike si Danimarka, Suedia, Finlanda kanë restorante të shtrenjta, por këto vende kanë dhe standarde të larta jetese dhe të ardhura mbi mesataren. Luksemburgu, shteti me të ardhurat më të larta për frymë në BE.