Shqipëria e femrave, mes Kosovës dhe kualifikimit

Kombëtarja e Shqipërisë për femra i nis kualifikueset e Botërorit 2019 me ndeshjen përballë Kosovës. Një duel i veçantë për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë, por ku emocionet më të mëdha do t’i kenë futbollistet në fushën e lojës. I tillë është rasti i Qëndresa Krasniqit, që pas aktivizimit me vajzat kuqezi provoi të luante te Kosova, ku mori edhe shiritin e kapitenes, por FIFA dhe UEFA nuk e lejuan kalimin, pasi ajo aktivizohej me Shqipërinë pas pranimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Qëndresa Krasniqi: “Është normale të kemi emocione, sepse është një ndeshje më e veçantë se ndeshjet e tjera. Por, do të mundohemi që emocionet t’i lëmë jashtë fushës dhe do të japim maksimumin që të fitojmë. Unë jam shumë e lumtur që përfaqësoj ngjyrat e Shqipërisë dhe do të jap maksumimin për Kombëtaren”.
Mesditën e së enjtes, më 6 prill, në “Elbasan Arena” do të jenë në fushë 22 futbolliste shqiptare, por në dy skuadra të ndryshme. Edhe portierja Marigona Zani flet për veçantinë e kësaj ndeshje, duke treguar edhe lidhjen me ngjyrat kuqezi.
Marigona Zani: “Do të jetë një ndeshje shumë e veçantë, por do të japim maksimumin. Presim një përballje të vështirë. Unë e jam e lumtur që përfaqësoj Kombëtaren Shqiptare, sepse më pëlqejnë ngjyrat kuqezi dhe të këndoj himnin shqiptar”.
Objektivi i skuadrës së trajnerit Armir Grima është kualifikimi në raundin tjetër, për të synuar më pas një vend në Botërorin 2019 për femra në Francë.
Qëndresa Krasniqi: “Grupi është i vështirë, por me punën që kemi bërë dhe me angazhim besoj se do të kualifikohemi”.

Artikulli paraprakSkandal në futbollin spanjoll
Artikulli tjetërMurinjo ka besim