Prej vitit 2013 deri në vitin 2019, periudha ndërmjet dy anketave të mëdha për studimin e ndërmarrjeve në Shqipëri të realizuara nga Banka Botërore, vihet re se cilësia e forcës së punës është kthyer në një shqetësim madhor për bizneset.
Në vitin 2013 kur u krye anketa e parafundit cilësia arsimore e forcës së punës u rendit e fundit ndër 10 problematikat kryesore që ishin shqetësuese në aktivitetin e sipërmarrjeve në Shqipëri.
Në vitin 2019 cilësia arsimore e forcës së punës u rendit në vendin e tretë ndër dhjetë shqetësimet e klimës së biznesit në vendin tonë.
Teksa zhvillimet teknologjike pos sjellin risi nga dita në ditë, bizneset shqiptare që ende e kanë të bazuar aktivitetin tyre në krahun e lirë të punës po shohin vështirësi në integrimin e vlerave globale të ekonomisë së tregut.
Teksa bizneset në Europë janë gjithnjë e më të orientuara nga teknologjia dhe inovacioni, Shqipëria shihet të jetë e fundit në këtë proces.
Produktiviteti i ulët në ekonomi po mban nën presion fitimet nga pagat të punonjësve. Nga ana tjetër kjo situatë frenon drejtimet arsimore për të ardhmen. Për pasojë vendet e punës me vlerë të shtuar janë të limituara.
Oferta për punë drejtohet aktualisht nga sektori fason dhe sektori shërbimeve që ofrojnë paga minimale. Kjo oferte nuk stimulon cilësinë arsimore. Për bizneset që duan të drejtojnë aktivitetin e tyre drejt inovacionit cilësia arsimore forcës së punës është një problem i madh.
Cilësia e forcës në punë në bizneset shqiptare në harkun kohor të gjashtë viteve i ka ngjitur 7 shkallë për keq. Përqindja e lartë e taksave, gjithashtu është kthyer në shqetësim madhor gjatë vitit 2019, ndryshe nga viti 2013.
Gjashtë vite më parë, përqindja e lartë e taksave renditej e gjashta ndër 10 problematikat kryesore të biznesit, por në vitin 2019 përqindja e lartë e taksave shihet të jetë shqetësimi kryesor i biznesit. Në vendet e Rajonit të Europës Qendrore përqindja e lartë e taksave ishte më pak shqetësim.
Bizneset dhe institucionet që merren me zhvillimet demografike në vend hapin paralajmërime të errëta për forcën e punës. Krahas mungesës së aftësive, emigrimi i lartë dhe plakja e popullsisë do të sjellë mangësi edhe për krah pune pas vitit 2020.