Nga Namir Lapardhaja
Në 48 orët e fundit Shqipëria është marrë peng nga krimi.
Tentavivë vrasje në qendër të Tiranës, vrasje e dyfishtë në Velipojë, vrasje të tjera të qytete shumë afër kryeqytetit, janë tregues i një situate të rënduar, që vjen kryesisht nga mosfunksionimi normal dhe në kohë i strukturave ligjzbatuese.
Ky është vetëm maja e ajsbergut të krimit, sepse krimi i organizuar ka depërtuar në të gjitha nivelet e shoqërisë, duke filluar nga trafiku i drogës deri te korrupsioni në sektorët më të rëndësishëm të shtetit. Shpesh, këto grupe jo vetëm që veprojnë me imunitet, por edhe gëzojnë mbështetje nga figura të fuqishme në politikë dhe biznes.
Trafiku i drogës, veçanërisht kanabisit dhe kokainës, ka qenë një ndër burimet kryesore të financave të krimit të organizuar. Shqipëria, që dikur njihej si një vend prodhimi për kanabisin, tani është një pikë strategjike për trafikun ndërkombëtar të drogës. Shumë raporte ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime mbi rolin e Shqipërisë në këto rrjete kriminale, duke e vënë vendin në qendër të vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare.
Një tjetër problem i madh është korrupsioni i shtrirë në të gjitha nivelet e administratës shtetërore.
Zyrtarë të lartë, që duhet të jenë të parët që luftojnë krimin dhe mbrojnë interesat e qytetarëve, shpesh janë të përfshirë vetë në veprimtari të dyshimta.
Ky ambient i mbushur me korrupsion dhe krim ka bërë që shumë shqiptarë të humbasin besimin te institucionet dhe të zgjedhin të largohen nga vendi. Emigrimi masiv, veçanërisht i të rinjve, është një tjetër pasojë e drejtpërdrejtë e krizës me të cilën po përballet Shqipëria. Vendi po humb talentin dhe fuqinë punëtore, duke e bërë më të vështirë rimëkëmbjen e tij.
Ndaj shoqëria shqiptare ka nevojë për një shkundje dhe një ndryshim të madh. Ndaj kjo klasë politike e korruptuar dhe e lidhur me krimin duhet të ndëshkohet me votë dhe qytetarëve t’u jepet një alternativë ku të kenë shpresë dhe besim.