Shqipëria e mbytur në kanabis, vetëm Rama thotë nuk ka drogë

Partia Demokratike denoncoi dje trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë, ku sipas raportimit të mediave, vetëm në muajt gusht-shtator janë trafikuar 12 ton drogë. Në një deklaratë për mediat, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj theksoi se, Shqipëria është e mbytur në kanabis, Europa është vënë në alarm, ndërsa Rama dhe Tahiri nuk pranojnë se ka drogë.
“Mediat italiane çdo ditë raportojnë ngarkesa droge që mbërrijnë nga Shqipëria me skaf apo në rrugë të tjera. vetëm sasia e kapur në muajt gusht-shtator në Itali, e raportuar nga mediat, është 12 ton drogë. Drogë e rritur, e kultivuar, e magazinuar, e transportuar nga Shqipëria drejt Italisë. Gazeta më e rëndësishme greke, “Kathimerin” i shkruan se Klement Balili, i konsideruar nga CNN si eskobari i Ballkanit, feston çdo natë lirshëm në Sarandë, edhe pse është në kërkim ndërkombëtar për trafik droge”, u shpreh Alibeaj.
Alibeaj deklaroi më tej se, “The Economist, revista lider në botë shkruan se situata e drogës në Shqipëri është përkeqësuar. “Pista e avionëve të drogës 1.8 kilometra është ndërtuar në mes të vendit, lumi Zezë ka habitur dje banorët e Fushë Krujës se është mbushur me kanabis që vjen nga kodrat”, tha Alibeaj.
Me gjithë këto fakte, me gjithë këto ngjarje të përditshme, Edi Rama dhe Tahiri i tij thonë se në Shqipëri nuk ka drogë, dhe se degën e fundit e sekuestruan ata në një studio televizive. “Dhe shfaqet edhe më i paturpshëm drejtori i Policisë, Cako, i cili deklaron se monitorimet nga ajri tregojnë se nuk ka kanabis në vend. Duke u tallur me shqiptarët dhe me partnerët italianë, me Guardia di Finanza, e cila është çdo ditë në aksion, duke kapur drogë shqiptare që mbërrin në brigjet e shtetit fqinj, deklaroi kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD.
“Pra, pasi mbuloi Shqipërinë me kanabis, Edi Rama ka zgjedhur ta mohojë atë. Po shqiptarët e dinë, e shohin çdo ditë, dhe po e vuajnë këtë rrënim të vendit nga droga, nga droga që mbyt ekonominë e ndershme, shfrytëzon tokat dhe burimet, që sjell vrasje e hasmëri, që kap pushtetin, drejtësinë, që shkatërron votën e lirë. Dhe shqiptarët po reflektojnë e do të bashkohen për ta ndalur këtë të keqe. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, përfundoi Alibeaj.

Nis vjelja e kanabisit në Krujë, lumi Zezë mbushet me bimë narkotike

Në Krujë ka nisur vjelja e kanabisit për t’u bërë gati për trafikim jashtë shtetit. Bimëve narkotike, pasi u hiqen boçet hidhen në lumë apo grumbullohen në vende të ndryshme dhe më pas u vihet zjarri. Këto ditë janë zbuluar qindra bimë narkotike pranë lumit Zezë të Fushë Krujës. Sipas banorëve, bimëve narkotike u janë vjelë boçet dhe më pas janë hedhur në lumë. Mendohet se këto bimë vijnë nga parcelat e drogës në zonën e Krujës. Kanabisi kësaj radhe u shfaq në rrjedhën e lumit Zezë të Fushë Krujës. Bashkë me mbeturinat pergjatë lumit me qindra degë të bimës narkotike kanë përfunduar aty.
Të parët që u përballën me këto pamje ishin banorët e shtëpive aty pranë. Disa nga banorët shprehen se, origjina e tyre është nga parcelat e drogës të mbjella në zonën e Krujës. Nga policia bëhet e ditur, se nuk do të ketë hetim për ketë rast, pasi mbetjet e hashashit nuk mund të jenë objekt hetimi. Në këto kushte edhe vendi se, nga janë hedhur do të mbetet i pazbuluar.
Lumi Zezë buron nga Malësia e Krujës dhe përshkon disa fshatra të saj. Më pas, kalon përmes qytezës së Fushë Krujës, duke përfunduar në Ishëm. Kjo, një njësi administrative e shumëpërfolur kohët e fundit për avionin që u rrëzua në pistën 1.5 km të gjatë dhe i cili dyshohet se po përgatitej të trafikonte drogë. Ndërsa pak metra larg pistës në fshatin Rrotull u zbulua një laborator droge.
Kruja është shndërruar në një rezervat gjigant droge si kurrë ndonjëherë në historinë e saj. Zgjedhja në krye të pushtetit lokal e një trafikanti droge ka bërë që e gjithë Kruja të mbillet me drogë. Plantacionet e drogës shtrihen që nga ujësjellësi i Bovillës për të vazhduar në të gjithë gjatësinë e saj deri në vargmalet e Krujës. Zonat me intensitet të lartë të mbjelljes së drogës janë në pjesën e Qafë Shtamës. Droga shtrihet më pas në Thumanë, Borizanë, Nikël, Bubq dhe rrethinat e Fushë-Krujës.
Garantët e të gjitha sipërfaqeve të mbjella me drogë janë policia dhe kryetari i Bashkisë, i cili i kontrollon me njerëzit e tij të gjitha parcelat. Për çdo rrënjë drogë, ata që kanë mbjellë duhet t’i paguajnë policisë shumën e 25 eurove për rrënjë. Në rast se, ata nuk paguajnë shumën e kërkuar nga policia, atëherë vjen ndërhyrja dhe plantacioni shkatërrohet nga policia. Kjo ka ndodhur në shumë raste në Fushë-Krujë, ku pronarët e plantacioneve të drogës janë ndëshkuar vetëm se ata nuk kanë paguar qiranë tek policia.

Exit mobile version