Shqipëria, e vështirë

Në Torino përfundoi 1-1 mes pretendentëve kryesorë të grupit të Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit. Një pikë që shpëton Italinë, një barazim që i rri jashtëzakonisht ngushtë spanjollëve që pasi i dhanë një leksion futbolli të kaltërve duke dominuar lojën nuk arritën të marrin një fitore të rëndësishme në shanset për ta përfunduar fushatën në vendin e parë që siguron kualifikimin direkt. Për Shqipërinë, sot kryesuese me pikë të plota pas dy ndeshjesh, është e sigurt se përballë të dielën në “Loro Boriçi” do të ketë një kundërshtar që demonstroi rritje të ndjeshme në krahasim me Europianin dhe mbi të gjitha, shumë të etur për të marrë fitoren që kënaq pritshmëritë e spanjollëve. Jo rastërsisht Lopetegui menjëherë në konferencën për shtyp pas ndeshjes, hedh sytë nga përballja në “Loro Boriçi” me kuqezinjtë e De Biasit.
“Menduam se shkoi mirë, pasi ishim dominues ndaj tyre për pjesën më të madhe të lojës. Duhet të lexojmë me kujdes atë çka bëmë mirë dhe ato gjëra që nuk ishin aq të mira. Ndeshja me Shqipërinë është më e vështira nga këto dy takime”, u shpreh Lopetegui.
Shqipëria më e vështirë se Italia. Një deklaratë që ka si synim përqendrimin e ekipit për të dhënë maksimumin në “Loro Boriçi”, ndërkohë që nga kampi i Spanjës edhe Alvaro Morata paralajmëron një ndeshje të vështirë për “La Roja”-n.
“Ndeshja me Shqipërinë do të jetë shumë e vështirë, për shkak të fushës, ndërsa dhe ata do ta bëjnë sfidën shumë të komplikuar për ne. Kam luajtur atje më parë me përfaqësuesen e U-21 dhe ishte një ndeshje që dua ta harroj, e luajtur në një fushë të tmerrshme”, tha trajneri i Spanjës.
Për takimin e kësaj të diele, Spanja me siguri nuk do të ketë Jordi Alba-n, i cili u dëmtua duke u detyruar të lërë fushën që në minutën e 22 ndaj Italisë.
Kombëtarja e Spanjës do të duhet të udhëtojë drejt Shkodrës për t’u ndeshur me Shqipërinë pa mbrojtësin e majtë të Barcelonës, Jordi Alba. Futbollisti u dëmtua mbrëmjen e së enjtes në takimin ndaj Italisë dhe nuk është në gjendje që të ndihmojë ekipin e tij në ndeshjen e së dielës.
Ndërkohë mesfushori i Atletikos së Madridit, Saul Nigez, do të jetë i pranishëm në Shqipëri pasi trajneri Lopetegui ka vendosur ta marrë me vete edhe pse ai gjithashtu kishte disa shqetësime fizike.
Kombëtarja spanjolle erdhi dje në Shqipëri, por pritet të kryejë vetëm një seancë stërvitore, atë të ditës sotme, e cila përkon me të fundit para ndeshjes. Gjatë kësaj seance do të shikohet sesi trajneri Lopetegui do të vendosë të përballet ndaj kuqezinjve të De Biazit.

Exit mobile version