Jo vetëm media e opozita raporton për kultivim dhe trafik të madh të kanabisit në vend, është eurodeputeti Eduard Kukan ai që shprehet se “kanabisi është një problem gjigant ndaj të cilit autoritetet duhet të reagojnë”. Kjo deklaratë vjen në kohën kur Kryeministri Rama merr si referencë raportet e ndërkombëtarëve për drogën në Shqipëri. Apeli i reporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan u bë gjatë një interviste ekskluzive për “ABC News”. Ai i bën thirrje klasës politike shqiptare të finalizojë dhe të vërë në zbatim sa më shpejt dhe Reformën në Drejtësi. Në një intervistë ekskluzive për “ABC News”, Kukan shprehet se droga është një problem gjigant në Shqipëri dhe se autoritetet duhet të tregohen të pamëshirshëm ndaj këtij fenomeni për të mos rrezikuar imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. “Jam shumë mirë i informuar për këtë çështje. Çështja e drogës është një problem gjigant për vendin. Qeveria dhe autoritetet përkatëse duhet të tregojnë një qasje të pamëshirshme ndaj këtij problemi, sepse përndryshe do të ishte shumë e vështirë që të ndryshohej imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë. Është një çështje shumë e madhe dhe mendoj, se duhet të vihen në dispozicion të gjitha burimet e nevojshme për t’i dhënë fund këtij fenomeni, sepse është vërtet një çështje shumë e madhe dhe të gjithë këtu e dinë” tha Kukan. Për Kukan, nuk duhet humbur kohë për finalizimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe do të vlerësohej shumë nëse kjo do të bëhej me pjesëmarrjen e opozitës.
– Ç’mendoni për qëndrimin e Komisioni Europian lidhur me nevojën e fillimit të zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe pritshmërinë e komisionerit Hahn, sipas të cilit, diferencën e vërtetë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do ta bënte arrestimi i peshqve të mëdhenj?
Reforma e drejtësisë ishte për të gjithë një kusht thelbësor dhe ajo u aprovua. Tani është vërtet e nevojshme që të aprovohet legjislacioni shoqërues, që janë 7 ligjet që mbeten dhe ato duhet të aprovohen në një të ardhme të afërt dhe jo vitin e ardhshëm, nëse mund të shprehem kështu në mënyrë diplomatike. Do të ishte ideale të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe me konsensus. Dëgjoj, që tek-tuk ka ca probleme. Koha nuk pret, sepse progres raporti i Komisionit Europian publikohet në tetor dhe ne të gjithë do të dëshironim të shihnim një lajm të mirë për Shqipërinë lidhur me çeljen e negociatave të anëtarësimit. Progres raportet normalisht hartohen në korrik dhe gusht, por Komisioni Europian do të presë deri në momentin e fundit për të finalizuar raportin për Shqipërinë në përputhje me zhvillimet e fundit të situatës në vend.
Mesazhi që kam për liderët politikë është që të tregojnë përgjegjshmëri ndaj qytetarëve shqiptarë dhe mos të humbin më kohë në aprovimin e legjislacionit të nevojshëm. Mënyra më e mirë për ta finalizuar Reformën në Drejtësi është me pjesëmarrjen e opozitës. Kjo do të vlerësohej shumë nga Komisioni Europian dhe Komuniteti Ndërkombëtar. Për arrestimin e peshqve të mëdhenj, nuk di ç’të them. Sigurisht, që deklaratat më të bukura dhe më të forta nuk janë të mjaftueshme për të provuar zbatimin e gjithë këtij legjislacioni dhe që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit po vazhdon.
Nëse ka prova të forta, kjo e bën luftën kundër këtyre fenomeneve shumë më serioze dhe të përgjegjshme. Më pëlqen shprehja e komisionerit Hahn. Unë do të shprehesha ndryshe: “Nëse sillni rezultate konkrete, do të ndihmonte shumë”. Koha është shumë e rëndësishme tani dhe pas kaq shumë energjish që iu përkushtuan aprovimit të Reformës në Drejtësi, do të ishte mirë që ky proces të finalizohej dhe të fillonte zbatimi.
– Si e shihni ju situatën e drogës në Shqipëri? Ju e dini që këto tre muajt e fundit janë kapur disa tonë kanabis nga autoritetet italiane dhe jo vetëm?
Jam shumë mirë i informuar për këtë çështje. Çështja e drogës është një problem gjigant për vendin. Qeveria dhe autoritetet përkatëse duhet të tregojnë një qasje të pamëshirshme ndaj këtij problemi, sepse përndryshe do të ishte shumë e vështirë që të ndryshohej imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë. Është një çështje shumë e madhe dhe mendoj, se duhet të vihen në dispozicion të gjitha burimet e nevojshme për t’i dhënë fund këtij fenomeni, sepse është vërtet një çështje shumë e madhe dhe të gjithë këtu e dinë.