Shqipëria humbet 29 vende për lirinë e shprehjes

Shqipëria sa vjen dhe shkon drejt bunkerizimit. Transparenca  e qeverisjes, vendimmarrjes, liria e shprehjes, e drejta e qytetarëve për t’u ankuar sa vjen dhe përkeqësohet duke dëshmuar se vendi po degradon drejt izolimit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut. “World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e rendit Shqipërinë të 72-tën ndër 113 vende të botës për sundimin e ligjit. Në raportin e përvitshëm që klasifikon vendet për nga zbatimi i ligjit, “WJP” thotë se, në vitin 2016 renditja e Shqipërisë u përkeqësua me 9 vende krahasuar me një vit më parë.
Shkaku kryesor i përkeqësimit sipas raportit është treguesi i qeverisjes së hapur. Ky indeks mat transparencën e qeverisë, jo vetëm në publikimin e ligjeve dhe vendimeve që ajo miraton, por edhe cilësinë e informacionit të publikuar. Po kështu, ai mat lirinë e shprehjes, pjesëmarrjen civile dhe të drejtën e peticionit, që i jep mundësi qytetarëve të ankohen për vendime të qeverisë apo ta padisin atë. Sipas raportit, në këtë tregues renditja e Shqipërisë është përkeqësuar me 29 vende krahasuar me një vit më parë dhe nga vendi i 54-t që renditej më 2015 ka shkuar në vendin e 83-të në botë. Raporti i World Justice Project përfaqëson një portret të zbatimit të ligjit në çdo vend të botës.
Ky raport mat 8 faktorë, që janë: kufizimi i pushtetit të qeverisë, mungesa e korrupsionit, transparenca, të drejtat themelore, rendi e siguria, kuadri rregullator, drejtësia civile dhe ajo kriminale. Shqipëria renditet më mirë në treguesit e kufizimit të pushtetit të qeverisë, të drejtat themelore dhe rendi e siguria. Ndërsa faktorë ku vendi ynë renditet më keq janë korrupsioni, transparenca e qeverisë dhe zbatimi i kuadrit rregullator.

Artikulli paraprakBie Rama, Kushtetuesja pezullon “Vettingun” politik
Artikulli tjetërBerisha-Bachura: Zëri i ndërkombëtarëve i dobët për kriminalizimin