Shqipëria jashtë listës së botës për investitorët e huaj

Shqipëria nuk renditet në listën e 100 shteteve me markat më të vlefshme, sipas raportit Nation Brands 2016 të publikuar së fundmi nga kompania konsulente Brand Finance, i cili vlerëson destinacionet më tërheqëse për Investimet e Huaja Direkte.
Nga vendet e rajonit, destinacioni më i preferuar për investitorët është Sllovenia, e cila renditet në pozicionin e 62. Dy vende pas saj është Bullgaria, ndërsa Serbia është e 73-a në renditje nga e 78-a një vit më parë, duke u ndjekur menjëherë nga Kroacia.
Për të mirë a për të keq, njohja e markës ndikon ndjeshëm kur konsumatorët blejnë një produkt. E njëjta vlen edhe kur kompanitë marrin në konsideratë destinacionin e ardhshëm për të investuar. Megjithëse është e vështirë të masësh ndikimin e saktë të këtyre perceptimeve tek Investimet e Huaja Direkte, studimi i kompanisë konsulente Brand Finance synon të heqë paralele mes vendeve që kanë marka më të vlefshme dhe atyre që tërheqin më shumë investitorë.
Sipas raportit, SHBA janë marka më e vlefshme për 2016-n, duke vijuar të ruajnë dominancën. Brand Finance ia atribuon suksesin e saj të vazhdueshëm ekonomisë së shkallës së vendit, sistemit të lartë arsimor që është lider në botë dhe “fuqisë së butë që vjen nga dominanca e saj në industritë e muzikës dhe të zbavitjes”. Në vend të dytë dhe të tretë vijojnë të mbeten përkatësisht Kina dhe Gjermania, ndërsa Britania e Madhe ka kaluar në vend të pestë, duke ia lënë vendin Japonisë. Më pas, në dhjetëshe janë Franca, India, Kanadaja, Italia dhe Australia.
Pakistani ishte një nga vendet me rritje më të shpejtë të vlerës së markës, me një zgjerim prej 41%. Pakistani ka zbatuar një sërë reformash ekonomike të mbështetura nga pagesat e mëdha nga FMN. Raporti shpjegon se “çmimet e ulëta të naftës vazhduan të punonin në favor të vendit, por ashtu dhe përmirësimi i sigurisë”.
Një nga shtetet që pa një rënie më të madhe të vlerës së markës ishte Turqia, me tkurrje prej 29%. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e destabilitetit pas grushtit të dështuar të shtetit, që provokoi një reagim të fortë nga qeveria. Hyrja në Bashkimin Europian nuk ka të ngjarë të ndodhë në të ardhmen e afërt. Për më tepër, përfshirja e diskutueshme e Turqisë në Siri, së bashku me sulmet e vazhdueshme terroriste nga i ashtuquajturi Shteti Islamik, po dëmtojnë tërheqjen e vendit për investitorët.

Harrojeni hekurudhën Tiranë-Durrës

Teksa Ministria e Transportit ka gati një projekt për rivitalizimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e një degëzimi të ri që do ta lidhte atë me Aeroportin e Rinasit, qeveria ka zhvendosur angazhimin për financimin e saj pas vitit 2019.
Bashkë me projektbuxhetin 2017, qeveria ka çuar për miratim në Kuvend edhe listën e projekteve që do të financohen nga fondet publike në dy vitet në vijim deri më 2019. Ndër këto projekte është dhe ai për hekurudhën mes Tiranës dhe Durrësit, por financimet e programuara për tre vitet në vijim do të jenë vetëm sa për fazat paraprake.
Sipas tabelës zyrtare, qeveria e ka kostuar hekurudhën me 10.2 miliardë lekë nga të cilat, 9.5 miliardë lekë janë financim i huaj, një kredi nga BERZH dhe 640 milionë lekë janë financim nga fonde të brendshme.
Kredia e BERZH është planifikuar për t’u përdorur 1.5 miliardë lekë më 2018 dhe 1.5 miliardë lekë më 2019, ndërsa pjesa tjetër e financimit prej 6.1 miliardë lekësh do të financohet pas vitit 2019.
Nga financimi i brendshëm për këtë projekt financohen 200 milionë lekë këtë vit dhe nga 40 milionë lekë për secilin nga vitet 2018-2019. Pjesa tjetër më shumë se 50% e financimit të brendshëm një prej 330 milionë lekësh do të disbursohet pas 2019.
Ministria e Transportit sakaq ka në fazën e konsultimit projektin për ndikimin në mjedis të hekurudhës.
Aktualisht, shpejtësia maksimale operative në hekurudhë është 40 km/h, me seksione me shpejtësi në 20 km/h. Në linjën Durrës-Tiranë, e cila u modernizua në vitin 1997 duke betonizuar pjesën e hekurudhës dhe ngjitjen e pjesëve të saj, u arrit një shpejtësi limit për vendin tonë prej 60 km/h. Kufizimet e shpejtësisë vijnë kryesisht si rezultat i gjendjes së pistës dhe vendkalimeve të paautorizuara në nivel sesa për arsye gjeometrie.
Prej më shumë se 17 vitesh, qeveritë shqiptare kanë në projektet e tyre për zhvillimin e infrastrukturës sjelljen në terma modernë të hekurudhës, Tiranë-Durrës, por sot e kësaj dite, asgjë nuk ka avancuar

Artikulli paraprakDogana greke zbulon vjedhjet e Spiropalit
Artikulli tjetërBasha me fermerët e Xarës, jep garanci për subvencionet