Nga Erl Kodra
Duket se shqiptarët në përgjithësi kanë vlerësim shumë të ulët për veten e tyre, aq të ulët, sa për 32 vjet me rradhë mbajnë në shpinë të njëjtët individë. Dhe të mendosh se shumë prej tyre, nominalisht janë më të aftë dhe me cilësi më të mira intelektuale dhe njerëzore se çdonjëri prej politikanëve të lartë që kanë drejtuar vendin në demokraci.
Çështja e vet-vlerësimit në një shoqëri post-totalitare nuk është kaq e thjesht, ajo është e lidhur ngusht me të kaluarën e saj, me vuajtjet individuale dhe kolektive, me dhimbjen e përjetuar në rini nga secili individ i saj. Nervi i reagimit mpihet, duke zhvilluar shqisa të tjera që shërbejnë për mbijetesë; si sevilizmi, nënshtrimi dhe heshtja. Në shumicën e herëve këto simptoma mbërthejnë individët normal, duke qenë se ata nuk mund të përdorin forcën ose dhunën për të mbijetuar, ata e pranojnë realitetin ashtu siç është, duke iu përshtatur mjedisit. Kështu, edhe pse një individ mund të jetë i aftë dhe i talentuar, ai përsëri i nënshtrohet mjedisit – së pari ai nuk reagon, bën kompromis me të keqen, bëhet pjesë e së keqes, dhe në fund kthehet në ushtarë dhe mbështetës pa kushte i saj.
Nominalisht, në Shqipëri ka me qindra ose mijëra individë më të aftë dhe të talentuar se sa Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta. Por fakti është se në të gjitha rastet sfiduesit e tyre nuk ia kanë dalë, ata janë tërhequr nga një mori arsyesh; por sipas meje, një ndër shkaqet kryesore ka qenë vet-vlerësimi i ulët. Është në kufinjtë e të pabesueshmes se si individë shumë të aftë, profesorë dhe doktorë shkencash, njerëz të ditur dhe përvojë të gjatë, heshtin si fija e barit, duke ia dorëzuar përjetësisht fatin e të ardhmes së tyre tre individëve. Po flas për fatin personal të tyre, për të mos shkuar më tej – për fatin e Shqipërisë.
A thua nuk ka ky vend burra më të zotët, më të mirë dhe më të zgjuar se Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta? Çfarë gjëje speciale ka Edi Rama – një piktor i zakonshëm (për të mos thënë i dobët), Ilir Meta – një individ krejt mediokër, dhe Sali Berisha – një mjek që e ka braktisur profesionin prej 32 vitesh?! Pse duhet t’i pranojmë, dhe t’i riprovojmë akoma të njëjtët njerëz, që fjalori i tyre politik përmban jo më shumë se 100 fjalë? Çfarë mund t’i japin më shumë këtij vendi – përveç varfërisë ekstreme, hajdutërisë, krimit dhe korrupsionit? Për çfarë ishin aty ku janë – po ruanin delet, po vidhnin, apo duhej të drejtonin këtë vend me drejtësi dhe ndershmëri?
Çfarë kanë ata më shumë se sa ti – lexuesi i këtyre rradhëve – që të gëzojnë privilegje, të marrin rroga të majme, të vjedhin, të presin dhe të vrasin për 32 vite me rradhë, pa u hyrë gjemb në këmbë? Akoma duhet t’i durojmë?
Edhe sa? Edhe 30 vjet të tjera?!
Domethënë, të presim që këta tre individë (dhe të tjerë) të ikin nga kjo botë, njësoj siç pritëm të ikte Enveri? Kaq vlejmë ne? Domethënë, fati ynë të shkruhet nga këta të tre? Mirë fati ynë, por edhe i fëmijëve dhe nipërve tanë?
Kaq e kemi vet-vlerësimin.