Nga dr. Neli Demi
Rekurs apo forcë të re politike? Me këtë dilemë u dol nga takimet me strukturat (kryesi e kolegj kryetarësh). Do pasojë një tur bisedimesh me antarësinë.
Unë po e jap publikisht mendimin, në fakt bindjen, time TANI. Për çfarë do të shërbente rekursi?! Për tu bërë pafundësisht pjesë e lojës së “trekëndëshit”? Për të zgjatur në pafundësi frustrimin e atyre që mezi presin të shohin një projekt siç gjithmonë e kanë dëshiruar të shpaloset dhe të ngadhnjojë? Për të mikluar nostalgjinë apo identifikimin e personave, gjithsesi të respektuar, me një logo e një vulë që nuk përfaqson më atë për të cilën ato i janë bashkuar dhe për të cilën nuk kanë kursyer asgjë? Nostalgjia është e mirë rreth tryezave e pranë vatrave në netë dimri por është një rezistencë për ndryshimin dhe modernizimin. Edhe një gjë tjetër që kam konstatuar me dhimbje: ka shumë po shumë njerëz që kanë krijuar aversion nga PD e vjetër dhe ndaj simboleve të saj dhe megjithë qasjen moderne e thelbësisht demokratike të “PD-së zyrtare” këto dy vite, janë akoma në mosbesim qoftë ky dhe irracional.
Shqipëria ka nevojë për idetë dhe parimet e proklamuara këto dy vitet dhe muajt e fundit. Dhe kjo përmbajtje e re ka nevojë edhe për një formë të re: emër, logo, vulë të RE.
Demokracia është në mendje dhe jo në tesër.