Shqipëria Madhështore nuk ndërtohet me njerëz të vegjël në shpirt dhe të mëdhenj në vjedhje!

Nga Bujar Vreto

Sot na duhet të pyesim me zë të lartë: Me kë do ta bëjmë Shqipërinë madhështore? Me “trekëndëshin e Bermudës”?
Me ata që shpenzojnë miliona për postera në një popull të varfër, ndërsa fëmijët tanë largohen për bukën e gojës?
Me ata që janë dhe kanë qenë ministra, drejtora, kryeministra dhe janë kthyer në oligarkë të politikës dhe gllabërues të ekonomisë?

Jo, vendi nuk ndërtohet nga ata që bëhen bashkë vetëm kur ndihen të rrezikuar nga SPAK-u. Nga ata që bëjnë ligje jo për popullin, por për të mbrojtur njëri-tjetrin. Nga ata që listat i duan të mbyllura, që t’i caktojnë vetë deputetët, jo qytetarët.

Ne nuk mund të ndërtojmë një të ardhme me njerëz që prej 34 vitesh kanë grabitur gjithçka, që kanë vrarë shpresën, që kanë përzënë rininë, që i tremben drejtësisë dhe i binden vetëm interesave të tyre.

Shikoni mbrapa kurrizit tim. Shikoni si i shpenzojnë paratë e vjedhura nga taksat tuaja.
Dilni e shikoni veprat publike si janë shkatërruar që janë marrë në dorëzim nga këta hajdutë, hulumtoni për tenderat që këta kanë firmosur dhe sot enden dyerve të drejtësisë. Këto nuk janë vetëm dëshmi të dështimit, por provat e vjedhjes!

Prandaj unë sot i bëj thirrje popullit të rrethit Librazhd, të qarkut Elbasan, dhe gjithë Shqipërisë: Zgjohuni! Mos i lini t’ju mashtrojnë përsëri! Votoni për njerëzit e ndershëm. Largoni me votë ata që janë në tavën e drejtësisë, ata që duan të riciklohen dhe të vazhdojnë të na vjedhin dhe gënjejnë!

Koha e tyre ka mbaruar. Koha e popullit ka ardhur! Le ta ndërtojmë Shqipërinë me njerëz që kanë ndërgjegje, jo me ata që kanë dosje!

Artikulli paraprakKoalicioni Euroatlantik përmbyll fushatën më 8 Maj – Mesazh për anëtarët: “Ky është momenti vendimtar!”
Artikulli tjetërEndri Hasa: 9 ditë nga zgjedhjet, është koha të ndëshkojmë të korruptuarit me votë