Pas Kosovës dhe Bosnjës, Shqipëria kishte përgatitjen më të dobët në lidhje me reformat, që duhet të përmbushen për tu integruar në Europë.
Sipas një tabele krahasuese që bëri Gjykata Europiane e Llogarive (Kontrolli Suprem i Fondeve te BE-së) në rreth 35 çështje kryesore, shihet se vendet në proces anëtarësimi, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Turqia dhe Kosova kanë rezultate të ndryshme të veprimeve që çojnë në anëtarësim.
Gjykata Europiane e Llogarive ka vlerësuar me një rreth blu reformat që kanë përparuar, ndërsa me nuancat e ngjyrës së gjelbër janë shënuar reformat që kanë nisur dhe kanë përparuar pak.
Siç shihet në tabelën bashkëngjitur Shqipëria në të gjitha çështjet ka vetëm një vlerësim “Blu” ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Turqia. Edhe ky vlerësim është në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe i dedikohet më së shumti anëtarësimit të vendit në NATO.
Nga 31 çështjet e analizuara, Maqedonia e Veriut për pesë fusha u vlerësua me rrethin “Blu” me progres nga Gjykata Europiane e Llogarive.
Për sa i përket plotësimit të kushteve, përparim të lartë ka bërë vetëm Turqia. Nga 31 kritere, në 10 prej tyre Turqia kishte ecuri pozitive ndërsa për tre kritere, si lidhjet logjistike me BE-ne, ecuria e shkencës dhe legjislacioni i kompanive mori vlerësim shumë të lartë të ecurisë.
Gjykata Europiane e Llogarive në raportet e fundit për përdorimin e fondeve të BE në vendet kandidate ka vërejtur se, nuk kishte efikasitet për ndihmat financuar që synon reformën në drejtësi dhe shtetin ligjore dhe fondet IPA për mbështetjen e bujqësisë.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në të njëjtin stad të integrimit në BE, por kur krahasohet ecuria në reforma shihet se, ne jemi pas Maqedonisë së Veriu sipas tabelës krahasuese.
Shqipëria është vend kandidat për hyrje në BE që nga viti 2014. Në vitin 2018, KE lëshoi një rekomandim të pakushtëzuar për të hapur negociatat e pranimit. Pas dy vitesh, në mars 2020, Këshilli Europian miratoi vendimin për hapjen me Shqipërinë të negociatave të pranimit.
Në maj të vitit 2021, KE informoi Këshillin Europian që Shqipëria i kishte plotësuar të gjitha kushtet para mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare të BE për hapjen e negociatave.
Shqipëria është i vetmi vend në rajon, thekson raporti, që ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha agjencitë e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme të BE./Monitor
(Rilindja Demokratike)