Shqipëria perceptohet si një ndër vendet më të këqija për të tërhequr apo mbajtur profesionistët. Këto janë të dhënat ndër vite të raporteve të ndryshme të konkurrueshmërisë të “World Economic Forum (WEF)”. Nga viti 2006 deri në 2009, Shqipëria ishte ndër 20 vendet e para në botë, sipas anketimit të “WEF” për sa i përket perceptimit se Shqipëria nuk kishte kushtet për të mbajtur personat e zotë dhe të aftë që të mos largoheshin. Gjatë viteve 2009–2014, pati një përmirësim të perceptimit që kishte për Shqipërinë për sa i përket përthithjes së talentit si edhe krijimit të kushteve që të aftët të zhvilloheshin në Shqipëri. Kështu, sipas Raportit të Konkurrueshmërisë 2013–2014, Shqipëria renditej e 68-ta në botë (nga 148) për aftësinë për të mbajtur talentin dhe e 63-ta (nga 148) për të tërhequr talentin nga jashtë vendit. Ndërkaq, nga vitet 2014–2015 pati një përkeqësim të theksuar të Shqipërisë në lidhje me perceptimin e mbajtjes dhe tërheqjes së talentit. Së fundimi në Raportin e konkurrueshmërisë 2016–2017, Shqipëria renditej e 117-ta në botë (nga 148) për aftësinë për të mbajtur talentin dhe e 119-ta (nga 148) për të tërhequr talentin nga jashtë vendit. Nga Raporti i Konkurrueshmërisë 2006 – 2007 e deri tek ai për periudhën 2012–2013, kapaciteti i mbajtjes së talentit dhe kapaciteti për të tërhequr talentin janë në një zë të vetëm (brain drain). Ndërsa nga Raporti i Konkurrueshmërisë 2013–2014 e deri te ai për periudhën 2016-2017, kapaciteti i mbajtjes së talentit dhe kapaciteti për të tërhequr talentin janë në dy zëra të ndryshëm (“Country capacity to retain talent” dhe “Country capacity to attract talent”).