Shqipëria më e shtrenjta dhe më e varfra në rajon

Keni në plan të bëni një udhëtim në vendet e rajonit, përfshirë Italinë e Greqinë? Ju ndihmojmë me një “tur virtual” për krahasimin e çmimeve në bare e restorante, supermarkete e tregje, fitness, kosto transporti, makina e deri te qiraja mujore. Por kujdes! Me pagat mujore, që janë ndër më të ulëtat, duhet të mateni mirë para se të udhëtoni, sidomos në Mal të Zi, Itali e Greqi.
Kosova, Maqedonia dhe më pas Shqipëria janë dy vendet që kanë çmime më të lira të produkteve ushqimore dhe kosto më të ulët jetese në rajon, sipas të dhënave krahasuese që raportohen nga “Numbeo.com”.
Më e lira është Kosova, me koston e jetesës 16.06% më të ulët se në Shqipëri (të dhëna të agreguara për të gjitha qytetet, qiraja nuk merret në konsideratë). Ndonëse ka çmime më të lira, qiraja në Kosovë është 27.43% më e lartë se në Shqipëri (të dhëna mesatare për të gjitha qytetet).
Kostoja e jetesës në Maqedoni është 4.64% më e ulët se në Shqipëri (të dhëna të agreguara për të gjitha qytetet, ku qiraja nuk merret në konsideratë. Qiraja në Maqedoni është 4.84% më e ulët se në Shqipëri (të dhëna mesatare për të gjitha qytetet).
Kostoja e jetesës në Serbi është 4.85% më e lartë se në Shqipëri. Qiraja në Serbi është 15.79% më e lartë se në Shqipëri.
Kostoja e jetesës në Mal të Zi është 21.49% më e lartë se në Shqipëri. Qiraja në Mal të Zi është 53.14% më e lartë se në Shqipëri.
Në shtetet e zhvilluara fqinjë, kostoja e jetesës është shumë më e lartë, por normalisht këto vende kanë dhe të ardhura shumë më të larta, që amortizojnë këto kosto.
Sipas “Numbeo”, kostoja e jetesës në Itali është 161.72% më e lartë se në Shqipëri. Qiraja në Itali është 245.10% më e lartë se në Shqipëri.
Kostoja e jetesës në Greqi është 73.45% më e lartë se në Shqipëri. Qiraja në Greqi është 62.91% më e lartë se në Shqipëri.

Kafe e restorante, ku shpenzoni më pak…

Një drekë për dy persona, në një restorant mesatar, me tri pjata, mund ta konsumosh më lirë në Maqedoni me rreth 13 euro, në Kosovë 15 euro dhe në Shqipëri rreth 16 euro. Më e shtrenjta nga rajoni është Mali i Zi me 25 euro, ndërsa për një drekë me dy persona në Itali duhet të matesh mirë, pasi mund të shpenzosh mesatarisht 50 euro.
Shqipëria e ka më të lirë birrën e importuar, në rreth 1.1 euro, ndërsa në Itali shkon deri në 4 euro. Një kapuçino është më e lirë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri (rreth 1 euro) dhe më e shtrenjtë në Greqi (gati 3 euro).

Në supermarkete, sa shtrenjtë në Shqipëri

Qumështi dhe buka janë ndër më të shtrenjtat në rajon, në Shqipëri, sipas tabelave krahasuese. Buka është më e shtrenjtë vetëm në Mal të Zi. Nuk janë marrë në konsideratë këtu Italia dhe Greqia.
Më të lira në tregjet shqiptare janë djathi, mishi i pulës, veza, por gjithsesi më e lira në vlerë absolute për këto produkte është Kosova.
1 kg banane është më e shtrenjtë në rajon në Shqipëri. Me 4.36 euro, një shishe verë mesatare, vlerësohet më e shtrenjta në rajon, ndërsa në Itali e Greqi është 6 euro.
Cigarja (Marlboro) është më e lirë në Maqedoni, me 1.95 euro një paketë, ndërsa në vendet e tjera luhatet mes 2.2 dhe 2.4 euro. Më e shtrenjtë është në Itali, me 5.4 euro.

Transporti, për naftën paguajmë më shumë se gjithë rajoni

Shërbimi i transportit publik është më i lirë në Shqipëri, ndonëse cilësia e tij lë për të dëshiruar. Por, të shtrenjta janë taksitë, ku tarifa normale minimale është 2.2 euro (më e larta në rajon, duke përjashtuar Italinë e Greqinë), ndërsa në Maqedoni është 0.65 euro.
Edhe për naftën, me 1.23 euro për litër, Shqipëria mban rekord në rajon. Taksat e larta bëjnë që shqiptarët të harxhojnë për karburante më shumë se në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e Kosovë, që paguajnë rreth 1 euro ose dhe më pak për këtë produkt.
Në krahasimin që “Numbeo” bën për makinat, për dy modelet e marra në konsideratë, “Volkswagen Golf” 1.4 dhe “Toyota Corolla” 1.6l, ato janë më të lira në Shqipëri dhe Kosovë.

Shtëpitë dhe qiratë

Të blesh një apartament në Shqipëri kushton ende më lirë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, por jo në kryeqytet. Në Tiranë, çmimet po mbërrijnë mesataren e rajonit, me rreth 1200-1500 euro për metër katror (brenda qendrës). Më lirë është Maqedonia, ku çmimet janë ende nën 1000 euro. Më të shtrenjtat mbeten Italia (me rreth 5000 euro/m2 dhe Greqia, rreth 4000 euro).
Por, periferia në qytetet shqiptare, me rreth 500 euro për metër katror, është më e lira në rajon.
Qiratë luhaten mesatarisht nga 110-330 euro në varësi të numrit të dhomave dhe vendndodhjes, të krahasueshme me Maqedoninë, por më të lira se në Mal të Zi e në Serbi.
Pagesa mujore për shërbimet bazë (ujë, drita e ngrohje për një apartament 85 m2) kushtojnë më lirë në Shqipëri, më pas vjen Kosova dhe më shtrenjtë u kushton serbëve.

Veshjet më të lira në Kosovë

Nga të dhënat e “Numbeo” rezulton se të gjitha llojet e veshjeve të marra në krahasim (këpucë, fustan, xhinse, atlete) i gjen më lirë në Kosovë. Më pas renditen Maqedonia e Shqipëria.
Kujdesi për veten kushton shtrenjtë në Shqipëri, ku tarifa mujore në një qendër fitness-i është rreth 24 euro, ndërsa në Maqedoni 15 euro e në Serbi 20 euro. Vetëm në Mal të Zi, kjo tarifë është rreth 28 euro.

Exit mobile version