Shqipëria me emigracionin më të lartë në rajon

Shqipëria ka shënuar nivelin më të lartë të emigracionit neto ndër të gjitha vendet e rajonit krahasuar me numrin e popullsisë.
Sipas statistikave të Bankës Botërore, emigracioni neto gjatë periudhës 2011-2015 ishte – 91,750 persona (diferenca ndërmjet ikjeve dhe ardhjeve). Pas Shqipërisë, Serbia ka shënuar një emigracion neto në rreth 100 mijë persona në pesë vitet e fundit, por popullsia e saj është gati tre herë më e madhe se Shqipërisë.
Nivele të ulëta të emigrimit sipas shifrave të Bankës Botërore janë shënuar në Maqedoni dhe në Bosnje, ku emigracioni neto është respektivisht me -4,999 dhe -2,506 persona.
Pas një stabilizimi në mesin e viteve 2000, emigracioni ka nisur të theksohet pas krizës së viteve 2008. Me këto ritme rajoni i Ballkanit sidomos Shqipëria është duke humbur avantazhin konkurrues, kapitalin njerëzor dhe krahun e lirë të punës që zë mbi 80 për qind të eksporteve në vend.
Shqipëria u rendit në mesin e vendeve me potencial të lartë të riskut social, e ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit, që e kombinuar me një krizë fiskale e bën vendin jo shumë të lakmueshëm për të bërë biznes, thuhet në raportin e Forumit Ekonomik Botëror për Rreziqet globale më 2016.
Shkalla e lartë e emigracionit ka një potencial rreziku 78%, në një kohë që në rang global, risku nga ky fenomen nuk është më shumë se 10%.
Sipas Forumit Ekonomik Botëror në vitin 2016, biznesi rrezikohet nga emigracioni më shumë se nga çdo faktor tjetër që mund të vijë nga masat fiskale apo faktorë të tjerë të brendshëm. Bizneset e kanë pohuar këtë situatë, pasi ikjet masive të 2015 kanë çuar në mbyllje të përkohshme të aktivitetit për disa ndërmarrje.

Exit mobile version