Në raportin e 2016-ës për energjinë e qëndrueshme në vendet e Europës Juglindore, Shqipëria dhe Kosova kanë humbjet më të mëdha të energjisë në rajon. Më 2015-tën një e treta e energjisë ose është vjedhur ose ka humbur gjatë transmetimit apo shpërndarjes. Megjithëse humbjet në transmetim dhe në shpërndarje kanë shënuar ulje në të gjithë vendet e rajonit, kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, ku niveli i humbjeve në rrjet ka mbetur i njëjtë si në vitin 2010.
Ndërkohë që Kosova ka bërë progresin më të madh, ku nga viti 2010 më 2015-tën humbjet e energjisë janë reduktuar nga 43.58% në 33%, Shqipëria ka një përmirësim me vetëm 0.1 pikë përqindje.
Shqipëria, gjithashtu ka pasur nivelin më të ulët të çlirimit të dioksidit të karbonit për frymë. Raporti nënvizon se sfida për vendin do të jetë diversifikimi i varësisë nga energjia hidrike, por pa ndikuar në rritjen e dioksidit të kabonit në atmosferë dhe pa prishur ekuilibrat e biodiversitetit. Edhe për vitin 2015, Shqipëria bazohet 100% në burimet hidrike. Në raport citohet se çlirimet CO2 për frymë nga djegia e lëndëve djegëse kanë rënë ndërmjet 2010-2014 në të gjitha vendet përveç se në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Shqipëri.
Shqipëria dhe Kosova kanë diversitetin më të vogël të energjisë në rajon.
Kosova është vendi më i varur nga qymyri në rajon, 97% e energjisë elektrike më 2014 sigurohej nga qymyri. Maqedonia dhe Serbia renditen të dytat, me 69% dhe 64.8% të energjisë elektrike që i vjen nga qymyri. Në krahasim, BE-ja prodhon 26.3% të energjisë elektrike nga qymyri për vitin 2014.
Intensiteti i energjisë, sasia e energjisë që nevojitet për të prodhuar një njësi të PBB-së, ka pësuar rënie ndërmjet 2010-ës dhe 2014-ës në të gjitha vendet përveç Bosnje dhe Hercegovinës dhe Shqipërisë.
Ndërmjet vitit 2010-2015 të gjitha vendet përveç Maqedonisë dhe Shqipërisë, vendet e Ballkanit Perëndimor përmirësuan të dhënat e tyre në Indeksin e perceptimit të Korrupsionit në Transparencën Ndërkombëtare, por ky përmirësim mbetet shumë i vogël, sipas raportit të hartuar me mbështetjen e BE-së.