Edhe pse numri i të rinjve është në ulje për shkak të emigracionit dhe përfshirjes në trend plakjeje të popullsisë, Shqipëria e ka numrin më të lartë të nxënësve për një mësues në rajon.
Banka Botërore ka bërë një krahasim global të këtij treguesi dhe ka gjetur se Shqipëria në vitin 2014 kishte mesatarisht 19 nxënës për një mësues, në Maqedoni ky tregues ishte 15, në Bosnje 17, në Serbi 16 dhe në Kroaci 14.
Vendet e Evropës dhe ato të zhvilluara karakterizohen nga një numër i ulët i nxënësve për mësues me vetëm 15, por gjithashtu vendet në zhvillim dhe ato të varfra kryesisht në Afrikë kanë një numër të madh nxënësish për një mësimdhënës me më shumë se 40.
Mesatarja globale e këtij treguesi arriti më 2014 në 24 nxënës për një mësues. Në vitin 1970 mesatarja e këtij treguesi ishte 28 nxënës për mësues.
Në vjetarin statistikor të Ministrisë së Arsimit thuhet se ka një tendencë në ulje të numrit të nxënësve për arsimin bazë, fakt ky që shpjegohet me uljen e numrit të lindjeve dhe dukurisë së emigrimit.
Ndërsa për arsimin e mesëm kemi një rritje të numrit të nxënësve vit pas viti.
Rritja e numrit të nxënësve që ndjekin arsimin e mesëm është rezultat i një sërë faktorësh, ndër të cilët përmendim: politikat dhe reformat e qeverisë për arsimin, rritja e interesit të komunitetit të nxënësve dhe prindërve për arsimin përtej arsimit bazë. Për vitin 2008-2009, rënia e numrit të nxënësve në arsimin e mesëm ka ardhur si pasojë e kalimit të arsimit bazë nga sistemi 8-vjeçar në sistemin 9-vjeçar.