Fenomeni i plakjes së popullsisë po ndryshon trendet e punësimit, për shkak të reduktimit të popullsisë në moshë pune (+15) në të gjithë Europën.
Sipas një studimi të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Shqipëria ka ndër normat më të larta të rënies së popullsisë në moshë pune, si pasojë e emigracionit të lartë dhe fertilitetit të ulët.
Të dhënat tregojnë se gjatë 2014-2020, popullsia në moshë pune shënoi rënie me 2% në Shqipëri. Rënia ishte më e lartë në Serbi me 7.5% dhe në Bosnjë, me 4.5%.
Ritmet e rënies ishin më të ulëta në Maqedoninë e Veriut me 1.8%, ndërsa në Malin e Zi dhe në Kosovë, popullsia në moshë pune erdhi në rritje për të njëjtën periudhë përkatësisht me 0.2 dhe 1.6%.
Sipas RCC-së, rënia e popullsisë në moshë pune, po nxitet nga nivele të ulëta të lindshmërisë dhe emigracionit në të gjithë Rajonin.
Rënia e popullsisë në moshe pune në Ballkanin Perëndimor ishte dy herë më e lartë se në BE, ku grupmosha (+15) u reduktua me 1,5% gjatë 2014-2020. Në ato ekonomi ku popullsia në moshë pune është në rënie, sistemet e mbrojtjes sociale janë nën presion për shkak të rritjes së raportit të varësisë për moshën e tretë.
Gjithashtu popullsia në moshe punë në Ballkanin Perëndimor vuan nga shkalla e lartë e inaktivitetit. Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës ishte mesatarisht 59% në rajon në vitin 2020, shumë poshtë mesatares së BE -së prej 27%.
Pjesëmarrja në forcën e punës së popullsisë në moshë punë ndikohet shumë edhe nga niveli arsimor në Ballkan.
Sa më i ulët niveli arsimor, aq më e madhe shkalla e dekurajimit. Duke analizuar forcën e punës sipas nivelit arsimor, shihet se 80 % e popullsisë me arsim të lartë merr pjesë në forcën e punës.
Në të kundërt, mbi 45%e atyre me arsim fillor nuk kërkojnë punë sepse besojnë se nuk ka një të tillë për nivelin e tyre të edukimit.
Vetëm popullsia në moshë pune me arsim të lartë ka nivel pjesëmarrje në forcën e punës në nivel të krahasueshëm me Bashkimin Europian.
Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë informalitetin më të lartë të tregut të punës në të gjithë Europën. Shkalla e punësimit informal në Rajonin tonë është në intervalin prej 20-30%, me përjashtim të Shqipërisë, informaliteti në punësim është mbi 40%.
/Monitor.al/