Shqipëria, me rritjen më të ulët të kredisë dhe depozitave në rajon, në 2015-ën

Bizneset shqiptare kanë marrë më pak hua dhe individët kanë vendosur më pak kursime në banka në krahasim me të gjitha vendet e tjera të rajonit në vitin 2015. Të dhënat krahasuese të raportit të tremujorit të parë 2016 të Komisionit Europian për shtetet kandidate dhe ato potenciale kandidate në BE tregojnë se Shqipëria rezulton vendi që ka pasur rritjen më të ulët vjetore si të kredive ashtu dhe të depozitave.
Kredia për ekonominë me bazë vjetore në Shqipëri u rrit me 0.3% në vitin 2015. Kjo është ecuria më e dobët në gjithë rajonin. Pas Shqipërisë, kreditimin më të ulët e ka shënuar Mali i Zi, që pa një zgjerim prej 0.9%. Më mirë rezulton Maqedonia, bizneset dhe individët e të cilës i janë gëzuar rritjes më të lartë në rajon. Ritme të larta kanë pasur edhe Serbia e Kosova.
Sipas raportit të Komisionit Europian, rritja vjetore e kredisë në Ballkanin Perëndimor në 2015-ën ka mbetur përgjithësisht pozitive për shkak të normave të ulëta të interesit. Kjo e fundit ka bërë që huaja të rritet ndjeshëm për individët, ndërsa kredia për bizneset veçanërisht firmat e mesme dhe të vogla, ka mbetur përgjithësisht e zbrehtë.
Edhe për depozitat, Shqipëria ka shënuar rritjen më të ulët në rajon, me 1.9% me bazë vjetore në 2015-ën. Ecurinë më të mirë në rajon e ka shënuar Mali i Zi që ka parë një rritje të kursimeve në banka me 13.7%.
Të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë kanë shënuar një rritje vjetore të depozitave me më shumë se 6%.

Exit mobile version