Shqipëria meriton më shumë sesa qytete bosh me kulla

Nga Doriana Musai

Komuniteti dhe grupi i interesit – dy terma që hasen kudo në ndërtimin e politikave, në programet e partive, në diskursin publik, janë fjalë që, sa herë jam përballur me to, më kanë bërë të ndalem e të pyes: kujt t’i flas kur shkruaj? Kujt t’i adresohem kur analizoj qytetin që jetoj? Komunitetit apo grupit të interesit?

Të jetosh e të punosh në Tiranën që nuk fle, është si të jesh përherë në mes të një zhurme që s’të le të mendosh. Dikur, kjo zhurmë vinte nga pub-et dhe diskot – zhurma e jetës urbane, e njerëzve që takoheshin, që ndanin hapësirën, që ndërtonin komunitet. Sot, betonieret zhurmojnë 24 orë në ditë, ndërtojnë një qytet të ri, që po ngrihet me nxitim, por që s’e di askush kujt i përket.

Kantieret janë bërë shenjë dalluese e Tiranës, simboli i saj. Struktura gjigande, jo vetëm në përmasa, por edhe në numër. Ndërkohë, mungesa e të ikurve, boshatisja që kanë lënë pas ata që nuk kthehen më, ka bërë që dritareve t’i fiken dritat, komunitetet të fragmentohen, strukturat sociale të shpërbëhen, dhe banesat të mbeten bosh. Qyteti është mbushur me ndërtime, por zbrazur nga njerëzit.

E vjetra është shembur. Por cila është e reja që po ngrihet?

Fragmentimi social dhe urban i Tiranës ka bërë që qyteti të humbasë komunitetet e tij klasike – ato që ndërtoheshin mbi fqinjësinë, mbi kujtesën, mbi përkatësinë. Emigracioni, ndërtimi kaotik, humbja e shtresës së mesme kanë prishur lidhjen midis qytetit dhe banorit, duke prishur balancat dhe strukturat më të forta mbajtëse të ekonomisë. Sot, Tirana është një hapësirë fizike, por pa shpirt.

Kur qyteti nuk ka më komunitet, nuk ka më shpirt, çfarë mbetet? Vetëm muret, betoni, kulla bosh?

Por aty ku komuniteti duket se është zhdukur, kanë mbetur grupet e interesit si një formë rezistence. Si një mbijetesë sociale.

Gjatë javëve të fundit kam marrë pjesë në disa tryeza me grupe interesi, si pjesë e fushatës së Koalicionit Euroatlantik, ku kemi prezantuar programin politik të KEA për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Pikërisht në këto takime, përmes bisedave të drejtpërdrejta nga njerëzit, më është bërë edhe më e qartë dallimi mes komunitetit dhe grupit të interesit – një dallim që shpesh në diskursin publik ngatërrohet, por në realitet është thelbësor për të kuptuar çfarë ka humbur dhe çfarë ka mbetur në këtë shoqëri.

Komuniteti është i lidhur me territorin, me zakonet, me vlerat, me kujtesën. Grupi i interesit është më lëvizshëm, më elastik, më i gatshëm të reagojë për një problem specifik, të evidentojë atë që e lidh, jo vendin ku është, por vendimmarrjen që e prek.

Në këto tryeza, bizneset e vogla sollën sfidat e mbijetesës, burokracitë, ngurtësinë e një sistemi që duket sikur është ngrirë në kohë. Profesioni i lirë dhe profesionistët e rinj përshkruan një sistem të murosur, të palëvizshëm, që e ka ndarë shoqërinë tonë si muri i Berlinit, në dy pjesë: ata të lidhur me aparatin shtetëror, që përfitojnë, dhe të tjerët që jetojnë jashtë “bllokut” të tij, të ndarë nga çdo mundësi, nga çdo shpresë.

E njëjta ndarje ndjehet edhe në grupin e interesit të pronarëve dhe të përsekutuarve politik, të cilët prej dekadash përballen me një shtet që nuk ua njeh të drejtën, nuk ua legalizon ndërtimin, nuk ua rikthen pronën, nuk ua shlyen borxhin moral e historik. Edhe ata, si pjesa tjetër e kësaj shoqërie, jetojnë jashtë sistemit, të përjashtuar, të lënë në pritje, ndërsa aparati vazhdon të funksionojë për të njëjtët.

Historia përsërit veten?

Dikur ndarjet ishin të dukshme, të egra, të vendosura nga një diktaturë që kontrollonte jetën, mendimet, pronën. Sot, ndarjet janë më të sofistikuara, por po aq reale. Nuk ka më ndarje klasore si dikur. Ka ndarje sistemore. Kush është pjesë e aparatit, përfiton. Kush është jashtë tij, mbetet në harresë.

Kjo duket e afërt, e njohur për ne – si një heshtje e gjatë që s’është thyer ende, si një lidhje e pazgjidhur me sistemin e së kaluarës, që tani ka veshur kostum të ri, por nuk ka ndryshuar rrënjësisht.

Ky realitet mund të ndryshojë. Me vullnet politik që e sheh qytetin si bashkëjetesë, jo si hapësirë ndërtimi. Me një sistem që vlerëson njeriun para kullës, që dëgjon komunitetet dhe mbështet grupet e interesit, jo privilegjet e pakicës.

Në 11 Maj, kemi mundësinë të zgjedhim ata që ndërtojnë jetë, jo ata që ndërtojnë vetëm kulla. Të rikthejmë dinjitetin e qytetit, të shoqërisë, të njeriut.

Sepse Shqipëria meriton më shumë.
Sepse Tirana meriton më shumë se zhurma e betoniereve.
Sepse ne meritojmë më shumë se të jetojmë jashtë “bllokut” të tyre.

Artikulli paraprakVIDEO/ Pëllumb Seferi me fjalë të ndjera për Tiranën!
Artikulli tjetërDr. Eljan Kasa: Shqipëria nuk ndryshon nga mëndje të burgosura!!