Shqipëria në Euro 2016 një realitet

Shqipëria mbetet një fenomen për t’u zbuluar nga mediat botërore. Në grumbullimin e skuadrës në Austri, një vëzhgues special ishte gazetari anglez, Alex Capstick. I dërguari i radio-televizionit BBC, foli për kuriozitetin që ekziston rreth Kombëtares kuqezi.
“Në Angli ekziston kuriozitet rreth Shqipërisë. Ka shumë skuadra të reja pjesëmarrëse në Euro 2016, pasi turneu është zgjeruar me 24 skuadra dhe në perceptimin e përgjithshëm duket më e lehtë që të kualifikohesh. Por, Shqipëria u rendit e dyta në grupin e saj, duke u kualifikuar direkt në një grup të vështirë me Portugalinë, Danimarkën dhe Serbinë. Ky kualifikim është mbresëlënës. Mendoj se nga të gjitha skuadrat e reja, të papriturat në Europian, si Islanda, Uellsi, Irlanda e Veriut, Shqipëria cilësohet si surpriza. Kjo është arsyeja përse ka interes dhe kuriozitet rreth kësaj skuadre. Sepse njerëzit në Angli, kur mendojnë për Shqipërinë u shkon mendja te Norman Wisdom që ishte një yll në vendin tuaj, apo kujtojnë regjimin komunist, ku njerëzit nuk lejoheshin të largoheshin nga vendi dhe të huajt nuk lejoheshin të hynin, ishte një vend mister. Dhe pjesëmarrja e këtij vendi në një turne madhor është tejet interesante. Njerëzit nuk presin që kjo skuadër të jetë surpriza, megjithatë mendoj se të gjithë dëshirojnë që ecuria e Shqipërisë të jetë e mirë”, u shpreh Alex Capstick.
Me opinionin ndërkombëtar të pamësuar me Shqipërinë në një eveniment madhor edhe gazetari britanik u shfaq pak konfuz, kur u pyet për lojtarët më të famshëm shqiptar për anglezët. Alex Capstick e nisi renditjen nga Granit Xhaka, vëllai i Taulantit që përfaqëson Zvicrën, por ndërhyrja në kohë e Mërgim Mavrajt e riktheu në realitetin kuqezi. “Tifozët anglezë, mbi të gjithë ata të Arsenalit do të jenë të interesuar të shohin Granit Xhakën, që u cilësua si blerja e parë e madhe e Arsen Wenger për sezonin e ri. Trajneri u kritikua vitin e kaluar se nuk realizoi afrime të rëndësishme, ndërsa tashmë ka shpenzuar shumë para për mesfushorin e Borussia Moenchengladbach”, tha ai.
Në anën tjetër, tifozët e Sunderland njohin Lorik Canën, që ishte një lojtar mjaft popullor kur luante në Angli, pasi ai jepte gjithçka në fushë, diçka që e bën edhe me Kombëtaren. Për këtë arsye mendoj se nga të gjithë lojtarët shqiptarë që do të luajnë në Euro 2016, komentatorët anglezë do të përqendrohen më së shumti te këta dy futbollistë.
Në analizën e tij, i dërguari i BBC e cilësoi Shqipërinë një skuadër mjaft e vështirë për t’u thyer, që praktikon futbollin e fortë dhe luan mirë në grup. Pasi tha se të gjithë rivalët do të kenë vështirësi përballë Shqipërisë, Alex Capstick i cilësoi kuqezinjtë një realitet.
“Absolutisht një realitet. Mjafton të shohësh grupin e fortë nga i cili u kualifikua, me Portugalinë, Danimarkën dhe Serbinë. Skuadra shumë të forta, por Shqipëria u rendit e dyta. Për këtë arsye duhet të merren seriozisht. Njerëzit mund të pyesin nga kanë ardhur, pasi më parë nuk i ishin afruar kualifikimit në një turne madhor. Por, padyshim që e kanë merituar të jenë në Francë. Besoj se mund të bëjnë surpriza dhe nuk do të jenë të lehtë për t’u thyer. Mendoj se Franca do ta fitojë grupin, por për Shqipërinë, ndeshja më e rëndësishme është sfida e parë e grupit ndaj Zvicrës, që ka shumë lojtarë me origjinë shqiptare. Me një rezultat pozitiv në ndeshjen hapëse, më pas mund të synojnë rezultat edhe ndaj Rumanisë dhe mund të kualifikohen në turnin tjetër”.
Gazetari i BBC u shfaq i bindur për shanset e skuadrës së Gianni De Biasit, ndërsa dha edhe parashikimin për fituesin e turneut në Francë.

“Me tre skuadra që potencialisht kualifikohen nuk shoh arsye përse Shqipëria të mos e realizojë këtë surprizë, duke marrë një fitore dhe një barazim ndaj Zvicrës e Rumanisë. Mund të kualifikohen deri në 1/16-at dhe jo më tej, por ky do të ishte një rezultat fantastik”, përfundoi Alex Capstick.

Artikulli paraprakShiringat financiare për Greqinë
Artikulli tjetërBerisha nuk ka ndërmend të largohet nga Kombëtarja