Nga Alban DACI
Askush nuk e kishte menduar se përsëri do të perballeshim me të njëjtën situatë që ishim përballur në vitin 1990 duke rrëzuar me vullnet popullor dhe me kurajo, një ndër regjimet më të egra që kishte njohur Bota. Në atë kohë u mendua se Shqipëria nuk do e përballej më me elementë autoritar.
Megjithatë, tashmë kanë kaluar 30 vjet e për fat të keq shqiptarët duhet të përballen edhe njëherë me një situatë të ngjashme me atë të vitit 1990, por me disa dallime të mëdha që janë:
1. Në vitin 1990 regjimi ishte i vetëdijshëm që i kishte ardhur fundit dhe po përgatitej për lëshimin e tij në mënyrën sa më soft. Ndërsa sot, pushteti aktual kërkon një mandat të tretë thuajse me çdo kusht.
2. Regjimi në vitin 1990 me kushtetutë i kishte të gjitha pushtetet dhe po fillonte ta ndryshonte kushtetutën për të risjellë pluralizmin politik si bazë e një demokraci. Regjimi aktual në mënyrë të njëanshme ndryshoj kushtetutën për të cenuar në themel pluralizmin e kështu edhe demokracinë.
3. Në fillim të viteve ’90 shpresa ishte arma më e madhe për të rifilluar nga fillimi, pa humbur kohë për të rifituar liritë. Ndërsa sot, fal pushtetit, shqiptarët u është vrarë shpresa, por sigurisht jo dëshira për të luftuar për ta rifituar atë.
4. Sinjalet e para për të rrëzuar regjimin në fillim të viteve ’90 ishin grevat e protestat e minatorëve e punëtorëve. Po sot mund të ndodh e njëjta gjë?
Rrogat në përgjithësi po ashtu edhe kushtet e minatorëve dhe punëtorëve nuk janë në standardet e kërkuara. Për këtë arsye kemi naftëtarët që kanë hyrë në grevë e po ashtu u tentua edhe revoltimi i mjekëve.
Të burgosurit tashmë kanë nisur grevën për kushte më të mira. A jemi përballë sinjalëve që dëshmojnë qartë mundësinë për një revoltë të përgjithshme të qytetarëve kundër këtij pushteti?
Unë, mendoj se po dhe nëse Opozita i kap dhe i mbështet në momentin e duhur këto kauza, atëherë ky proces do të jetë më i shpejtë. Vizita e Bashës tek greva e naftëtarëve, dëshmon qartë faktin se, Basha dhe Opozita i kanë seriozisht kauzat e qytetarëve e po ashtu e kanë seriozisht betejën kundër oligarkëve që janë sponsor kryesor të këtij pushteti.
5. Në fillim të viteve ’90 lufta kundër censurës ishte e fortë dhe e hapur. Ndërsa sot, duket sikur shumë “media” të lira janë bërë palë me vullnetin e tyre duke i shërbyer pushtetit. Pra, në fillim të viteve’ 90 nuk kishim media të lira, por kishim vullnetin dhe forcën me qene te lirë. Sot, kemi media të lira, por janë në shërbim të censurës e propagandës. Mendoj se vendi është në prag të një ’90 të dytë, situata është e njëjtë, rrethanat janë të njëjta e po ashtu edhe sinjalet për një përmbysje të madhe po bëhen të qarta.