Teksa më 12 korrik do të zhvillohet në Trieste Samiti i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria nuk ka këtë vit projekte në infrastrukturë. Këtë fakt e përmendi ambasadori italian në Shqipëri, z. Alberto Cutillo, në një takim në rezidencën e ambasadës, ku u prezantua informacioni lidhur me Forumin e Biznesit, që do të mbahet në këtë samit.
“Nuk ka projekte konkrete për Shqipërinë në infrastrukturë, ndryshe nga ai i mëparshmi ku ishte projekti i hekurudhës Tiranë-Durrës”, tha ai. “Shpresojmë që në edicionin e ardhshëm të ketë projekte”. Gjithsesi, samiti është i rëndësishëm pasi mund të identifikohen projekte për të cilat mund të hidhen hapa për zhvillimin e mëtejshëm.
Më 12 korrik do të mbahet në Trieste Samiti i Ballkanit Perëndimor, një nismë ndërqeveritare e krijuar në vitin 2014 për të nxitur një integrim më të madh mes vendeve të rajonit. Aktualisht janë anëtarë të Procesit të Ballkanit gjashtë vende të BE-së (Italia, Gjermania, Franca, Austria, Kroacia, Sllovenia) dhe gjashtë vende të Ballkanit (Bosnje-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Shqipëria). Në fushën e ekonomisë, samiti do të ketë fokus në zgjerimin e rrjeteve ballkanike të infrastrukturës dhe lidhjen me atë europiane; energjia; rritja e SME-ve; risia dhe zhvillimi; tregu i përbashkët.
Me rastin e samitit, Presidenca italiane do të organizojë një forum biznesi për të promovuar bashkëpunimin ekonomik mes sipërmarrjeve italiane dhe atyre të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Cutillo tha se është e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të afrohen me Europën. “Në Shqipëri për shkak të afërsisë, marrëdhëniet me Italinë janë shumë të ngushta”.