Shqipëria vazhdon të jetë nën pushtetin e zjarreve. Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 17 vatra zjarri në Berat, Shkodër, Tiranë, Vlorë, Durrës, Lezhë dhe Dibër. Emergjenca Civile bën të ditur se, është duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin, por në fakt situata është dramatike. Janë djegur qindra ha pyje, ullishte e kodra të gjelbërta. Ndërsa në Lezhë dhe në Dibër situata vijon të jetë edhe më e rëndë, pasi zjarret po u afrohen edhe zonave të banuara. Mungesa e ndihmës nga institucionet shtetërore ka bërë që banorët në malin e Torovicës në Lezhë të ndërhynë me mjete rrethanore për fikjen e flakëve. Nga zjarri është djegur banesë ndërsa rrezikohet edhe kisha dhe disa banesa.
Vatra e zjarrit në Torovicë nisi që prej ditës së djeshme, ndërsa gjatë natës flakët ishin prezente. Pavarësisht se në orët e para të mëngjesit u bë e mundur vënia në kontroll e zjarrit, vatra u favorizua nga era e fortë dhe rritja e temperaturave.
Qarku Lezhë
Në malin e Manatisë, Lezhë ka rënë zjarr në pyllin me pisha. Zjarrfikëset dhe 53 forca ushtarake kanë punuar gjatë gjithë natës për shuarjen e zjarrit, i cili ka rrezikuar banesat në fshatin Manati. Për arsye sigurie janë evakuuar 3 familje. Zjarri dogji rreth 5 ha me shkurre e ferra dhe pyll pishe. Forcat e ushtrisë po punojnë për shuarjen e zjarrit në lartësitë e malit, ndërsa forcat dhe automjetet zjarrfikëse janë në gatishmëri pranë banesave.
Në fshatin Tale, Lezhë, ka rënë zjarr në një zonë me shkurre dhe ferra. Zjarrfikëset së bashku me komunitetin kanë arritur të shuajnë flakët. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 5 dynymë me shkurre e ferra dhe ullinj.
Qarku Shkodër
Në fshatit Bleran, Shkodër ka rënë zjarr në pyllin me pisha. Zjarri ka rrezikuar seriozisht edhe disa banesa të fshatit. Sipas raportimeve të zjarrfikësve zjarri ka djegur rreth 10 ha me shkurre, ferra dhe pisha. Në fshatin Vilëz, Shkodër ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarri ka rrezikuar xhaminë dhe disa banesa të fshatit. Për shkak të terrenit të thyer dhe erës, zjarrfikëset e ushtria nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin. Sipas raportimeve, zjarri dogji rreth 10 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Vorfë, Malësi e Madhe ka rënë zjarr në një zonë me shkurre, ferra dhe pemëtari. Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve u shpëtuan disa banesa që ndodheshin aty pranë. Në fshatin Gomsiqe, Vau-Dejës ka rënë zjarr në pyll me pisha. Zjarrfikëset kanë punuar gjatë gjithë natës për shuarjen e vatrave të zjarrit dhe i ka vënë ato nën kontroll. Ditën e sotme forcat do të punojnë për shuarjen përfundimtare të zjarrit. Në Njësinë Administrative Vig-Mnelë Vau-Dejës, zjarri i rënë në një masiv me pisha është fikur. Zjarrfikëset dhe forcat e ushtrisë kanë arritur të shuajnë edhe vatrat e fshehura të zjarrit.
Qarku Durrës
Në hyrje të qytetit të Krujës ka rënë zjarr në një zonë me shkurre e ferra dhe pyll pishe. Në ndihmë kanë shkuar edhe zjarrfikëse nga Tirana. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 4 dynymë me shkurre e ferra dhe pisha.
Qarku Tiranë
Në fshatin Qinam, Tiranë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Shërbimi zjarrfikës kanë shuar flakët, duke shpëtuar banesat. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe relativisht e vogël me shkurre dhe ferra.
Në lagjen Kodër-Vorë të Bashkisë Vorë ka rënë zjarr në një zonë me ferra, shkurre dhe ullishte. Si pasojë u dogj rreth 10 dynymë me shkurre e ferra dhe 5 rrënjë ullinj.
Qarku Elbasan
Në fshatin Klos, Cërrik ka pasur një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarrfikëset kanë punuar duke shuar flakët me mjete rrethanore për shkak të terrenit të thyer. Në fshatin Bardhas Peqin ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 5 dynymë me shkurre dhe ferra. Në fshatin Trash, Peqin ka rënë zjarr. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 7 dynymë me shkurre e ferra dhe 10 rrënjë ullinj.
Qarku Berat
Në fshatin Velagosht, Kuçovë, ka pasur riaktivizim të zjarrit në sipërfaqen me shkurre dhe pisha. Zjarri i favorizuar nga era e fortë është përhapur dhe për këtë ka ndërhyrë edhe ushtria. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe pisha.
Qarku Vlorë
Në fshatin Borsh, Himarë ka rënë zjarr gjatë paradites së djeshme në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë vendosur nën kontroll dhe zjarri është shuar. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej rreth 2 ha me shkurre dhe ferra.