Shqipëria ngec në drynin italian, të kaltërit fitojnë 2-0

Kombëtarja mposhtet në Itali

Shqipëria humbi 2-0 në Renzo Barbera me Italinë ndeshjen e parë zyrtare, me të kaltërit që fituan pikërisht nëpërmjet  lojës për të cilën shqiptarët u dashuruan me të kaltërit përtej Adriatikut, me një hedhje brenda në zonë që solli një penallti në pjesën e parë, e një finalizimi me kokë në të dytën pas një goditje dënimi. Një fitore tipike italiane përballë një Shqipërie që u përpoq ta luante këtë ndeshje si e madhe, përpara një publiku të jashtëzakonshëm që madje dhe u “skuq” nga veprimi i disa personave të papërgjegjshëm që coi në ndërprerjen e sfidës për rreth 14 minuta, por që gjithsesi nuk e zbehu emocionet e një sfide të tillë, e një miqësie të përhershme italo-shqiptare që u bë e prekshme dhe nga përshëndetja e përshpëritjet e përzemërta mes Buffon e Agollit në momentin e hedhjes së monedhës. Italia në fakt pati meritën se e interpretoi këtë ndeshje, me stilin e saj më të mirë, dhe pse që në sekondat e para, kuqezinjtë u duk sikur gjetën celësin për të hapur drynin e kaltër, ku Cikalleshi nuk arriti të finalizojë një kombinim me Roshin me topin që kaloi ngjitur me shtyllën e Buffonit. 3 minuta më pas provoi dhe Roshi si për të treguar se kuqezinjtë nuk ndihen inferiorë. Në minutën e 11-të megjithatë, Italia bëri Italinë, me Belottin që prekje e Bashës, e shfrytëzoi për të rrëmbyer penalltinë, të cilën De Rossi e shndërroi në gol.
Gjithsesi skuadra më e mirë në fushë ishte Shqipëria, dhe në të 23-tën Roshi provoi të befasonte Buffon në ndeshjen e tij të 1000 por portieri i të kaltërve kontrolloi pa probleme. 1 minutë më pas, e verdha e Agollit, që do të mungojë me Izraelin. Në të 43-tën, Strakosha tregoi se ka adn e një portieri të madh teksa në debutimin e tij me kombëtaren priti mirë një goditje të Belottit, ndërsa pjesa e parë ashtu sic u hap dhe u mbyll me Shqipërinë e rrezikshme falë një goditje të Roshit.  Dhe në pjesën e dytë, Italia nuk bëri shumë duke kërkuar madje një tjetër penallti në të 53-tën për prekje me dorë të Ajetit. 3 minuta më pas dhe episodi i turpshëm që coi në ndërprerjen e ndeshjes. Në momentin më të mirë të Shqipërisë, Italia mori “frymë” duke u rikthyer në fushë e karikuar. Strakosha ndërhyri sërish në mënyrë fantastike në të 65-tën, ndërsa 6 minuta më pas, Immobili dërgoi topin në rrjetë me kokë pas një goditje standarte.
Një goditje e rëndë në një ndeshje pa shumë diferenca, ku Shqipëria vazhdoi ta kërkonte një gol, me Sadikun që provoi në të 83-tën por larg kuadratit. 6 minuta më pas Cikalleshi kërkoi golin me kokë por dhe ai dërgoi topin jashtë. U mbyll 2-0 me Grezdën e Latifin që debutuan dhe ata në kombëtare në një ndeshje që do ta kujtojnë gjatë, ku Italia na mundi pikërisht me të njëjtën mënyrë që na bëri të dashuroheshim pas futbollit të tyre.
Spanja vazhdon të kryesojë grupin H në eliminatoret e Botërorit Rusi 2018. Iberikët triumfian 4-1 ndaj Izraelit, që u shfaq i vogël përballë 1 herë kampionëve të Botës. Spanja bëri lojën e saj më të mirë duke zgjidhur dhe shumë mirë ndeshjen që në pjesën e parë me golat e Silvës dhe Vitolos, ndërsa në pjesën e dytë thjesht thelloi më tej rezultatin me Diego Costën në të 51-tën, e Iscon në të 88-tën, ndërsa goli i Zahavit ishte thjesht sa për statistikë për Izraelin. Një sukses që e bën Spanjën të jetë në garë vetëm me Italinë për vendin e dytë. Fitoren e parë e mori në grup, Maqedonia që mundi 3-0 Lichtensteinin në transfertë duke përmbushur parashikimet. Për maqedonasit në pjesën e parë shënoi Nikolov, ndërsa në pjesën e dytë spikati Nestorovski që arriti të dërgojë dy herë topin në rrjetë dhe në fund madje humbi dhe një 11-metërsh.

Artikulli paraprakKosova gjen golin, por humbet ndaj Islandës
Artikulli tjetërTahiri drejt burgut për lidhjet me krimin