Shqipëria ngjitet 5 pozicione në FIFA

Kombëtarja shqiptare fiton 5 pozicione në klasifikimin e përmuajshëm të FIFA-s. Skuadra e drejtuar nga Gianni de Biasi e sheh veten në vendin e 37 të kësaj renditjeje me 667 pikë. Paraqitja e mirë në Euro 2016, ku Shqipëria arriti të fitojë një ndeshje, atë me Rumaninë, ka ndikuar në përmirësimin e këtyre pozicioneve nga ana e kuqezinjve në klasifikimin e FIFA-s.
Shumë pozicione kanë fituar dy surprizat e Euro 2016, Uellsi dhe Islanda. Skuadra e Chris Coleman kapërcen 15 shkallë dhe e sheh veten në vendin e 11 të kësaj renditjeje, ndërsa Islanda nga vendi i 34 ngjitet në vendin e 22.
Për herë të parë në këtë renditje përfshihet edhe kombëtarja e Kosovës, e cila e nis rrugëtimin nga vendi i 190 edhe pse në total janë 205 vende që figurojnë në listën e gjatë të FIFA-s. Njohja nga UEFA dhe FIFA zyrtarizojnë në këtë mënyrë edhe Kosovën në këtë klasifikim me 66 pikë. Gjithsesi, është thjesht një pozicion i përkohshëm pasi me fillimin e eliminatoreve të Botërorit 2018 përfaqësuesja e Kosovës do të ketë mundësi të tregojë fuqinë reale.
Për sa u përket kryesuesve, nuk ka ndryshime. Argjentina vazhdon të jetë në vendin e parë e ndjekur nga Belgjika në të dytin dhe Kolumbia në të tretin dhe menjëherë pas tyre janë Gjermania e Kili. Portugalia, skuadra e saposhpallur kampione e Evropës ka fituar vetëm 2 pozicione për ta parë veten në vendin e 6.
Franca gjithashtu ka fituar 10 pozicione, duke u renditur në vendin e 7 për të lënë pas Spanjën, Brazilin e Italinë, që plotësojnë dhjetëshen e parë të klasifikimit të FIFA-s.

Artikulli paraprakBabëzia me tenderat, FZHR, 1 milion dollarë për një palestër shkolle
Artikulli tjetërKlubet më të pasur, Dallas Cowboys parakalon Realin