Numri i vrasjeve me armë zjarri në Shqipëri është rritur vitet e fundit. Sipas një raporti nga “Small Arms Survey” vendi ynë renditet i dytë në Evropë i ndjekur nga Mali i Zi. Këto të dhënat përfshijnë vitet 2010-2015. Sipas raportit, në Shqipëri, vdekjet e dhunshme nga armët e zjarrit dhe jo armët e zjarrit janë rritur dhe kanë rënë në mënyrë paralele.
Raporti thekson se në Mal të Zi dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ka pasur një numër të lartë të vrasjeve të femrave. Mali i Zi në këtë rast ia kalon Shqipërisë. Sipas raportit, rajonet më të prekura nga dhuna dhe armët e zjarrit janë Amerika, Afrika e Jugut, Evropa Jugore, etj. Këtu nuk përfshihen vendet në luftë.
Analiza tregon modele divergjente për Shqipërinë dhe Kroacinë. Në Shqipëri, thekson raporti, normat e vrasjeve me armë zjarri dhe jo me armë të tilla kanë lëvizur kohët e fundit. Ndërkohë, në Kroaci nga ana tjetër, numri i vrasjeve ka pësuar ulje për shkak të shtrëngimit të ligjeve për të poseduar armë, si dhe fushatave të shumta për dorëzimin vullnetar të tyre. Këto të dhëna bëhen publike në kuadër të axhendës 2030 për uljen e numrit të armëve.
Berisha: Një rekord tjetër i zi i Edvin Shullazit
Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për shifrat alarmante të vrasjeve me armë në Shqipëri, të publikuara nga “Small Arms Survey”. “Një rekord tjetër i zi i Edvin Shullazit. Shqipëria ngjitet në kupolën e Europës për vrasjet!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Të dashur miq, sipas raportit ‘Small Arms Survey’, Shqipëria renditet e dyta në Europë për vrasjet. Ndërkohë që Rama dhe Saje qorri pjesëtojnë me 2.5 herë shifrat e vrasjeve. Kështu, nga 138 vrasje vitin e kaluar deklaruan se kishte gjithsej 56 vrasje. Kjo dëshmon për një përkeqësim të madh të sigurisë dhe revansh të papërmbajtur të krimit në Shqipëri. Rikujtoj këtu se vendi ynë renditej nën mesataren e vendeve të BE për vrasjet! sb”, shkruan Berisha.
Tahiri vazhdon të mashtrojë
Ministria e Brendshme ka reaguar dje duke hedhur poshtë këto shifra, të cilat i ka quajtur të pavërteta. Ministria e Brendshme këmbëngul se shifrat që janë publikuar në këtë raport bëjnë fjalë për periudhën 2005-2011. “Ministria e Punëve të Brendshme deklaron se kjo jo vetëm është e pavërtetë, por është edhe aktakuza më e rëndë që ish-Kryeministri i bën vetes. Raporti në fjalë, merr në analizë të shifrave periudhën kohore 2005 deri në vitin 2011, pikërisht periudhën kur në krye të qeverisë ishte zoti Berisha. Pra, në qoftë se Shqipëria është ngjitur në kupolën e Europës për vrasjet, kjo ka ndodhur gjatë kohës kur qeveriste zoti Berisha, pikërisht siç tregon edhe raporti. Sot e vërteta është tërësisht ndryshe. Vitin e kaluar Shqipëria njohu rekord me numrin më të ulët të vrasjeve në 25 vitet e fundit me vetëm 54 ngjarje. Në shifra, ishin 45% më pak vrasje se më 2014, duke përfshirë edhe ato nga pakujdesia. Pra, vitin e kaluar nurmi i vrasjeve gati është përgjysmuar, e kjo edhe falë punës parandaluese dhe trajtimit në kohë të konflikteve”, thuhet në raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Por, në fakt kjo është një gjysmë e vërtetë, pasi shifrat janë të vlefshme edhe për vitin 2015, por sipas statistikave të raportit të huaj, janë 3 të vrarë në 100 mijë vetë popullsi.
Nëse do të shihet me kujdes tabela për vitin 2015, shkalla e vrasjeve në Shqipëri ka një rritje të vogël mbi 3 të vrarë për një popullsi 100 mijë vetë. Edhe në vitin 2011 kjo shifër ka qenë 3, ndërkohë që në vitin 2015 ndryshe nga sa pretendon Ministria e Brendshme, shifra vijon të mbetet po njëlloj, madje me një rritje të lehtë. “Shqipëria renditet në vendin e dytë me numrin më të lartë të vrasjeve në Europë, që pason Malin e Zi”, thotë raporti për vitin 2015.
Vlen për të përmendur edhe statistika tjetër që gjatë vitit 2015 ka rritje edhe të numri të vetëvrasjeve, që kanë ndodhur si pasojë e rënies në depresion për shkak të kushteve të këqija ekonomike, varfërisë etj. E thënë shkurt, loja me shifra e Ministrisë së Brendshme tregon vetëm njërën anë të medaljes, shkallën e vrasjeve për periudhën 2005-2011. Kjo shifër vijon të mbetet po njëlloj edhe gjatë qeverisjes Rama, siç tregon grafiku i vitit 2015.