Në Shqipëri nuk ka ndonjë detyrim ligjor për të përjashtuar nga procedura e prokurimit publik entitete që janë të regjistruara (apo kanë pronarë të regjistruar) në parajsa fiskale apo në listën e zezë/gri të Këshillit të BE.
Open Corporate Albania analizon disa të dhëna statistikore të mbledhura për kompani të regjistruara pas vitit 2017.
Në Shqipëri, ka 701 kompani biznesi që janë të regjistruara si degë apo janë në pronësi nga kompani komerciale në listën e vendeve të zezë/gri. Nga këto kompani, rreth 33 prej tyre ushtrojnë aktivitetin në një prej kategorive të përshkruara më poshtë, që janë konsideruar delikate dhe për të cilat kërkohet një kontroll më i rreptë.
Albania 1 Euro – 2 subjekte
Kompani të licensura nga ERE – 3 subjekte
Banka – 2 subjekte
Investitorë strategjikë – 3 subjekte
Koncesione – 8 subjekte
Nëse më parë deklaruam se nuk mbështesim stigmatizimin e kompanive që janë të regjistruara në parajsat fiskale apo raste më të komplikuara, siç janë ato në offshore, kishim ndërmend principin e kërkuar në eksperiencën tonë profesionale; në kontekstin e prokurimit publik, është e pakuptueshme se pse qeveria duhet të besojë paratë publike tek një kompani regjistruar në parajsa fiskale, qëllimi kryesor i së cilës është evazioni fiskal.
Në Shqipëri, si në çdo vend tjetër demokratik në botë, çdokush, shqiptar apo i huaj, është i lirë të krijojë skema ligjore biznesi dhe ti regjistrojë në parajsa fiskale. Çdokush në Shqipëri, nëse është shqiptar apo i huaj, ka të drejtën të përfitojë nga avantazhet e eksploruara më lart, sikurse Apple, Pfizer, Microsoft, General Electric.
Por kur vjen puna te asetet publike dhe kontratat publike, çështja komplikohet. Kjo zbrazëti lejon shtimin e aksionerëve, duke mos treguar pronarët e vërtetë nëse zotërojnë më pak se 25% (që ju mund të mbani një numër të pafund me më pak sesa kjo kuotë) dhe ata mund të fshihen në mënyrë të pacaktuar dhe në këtë mënyrë, duke fshehur kontrollin e interesit, elementet korruptive dhe duke sjellë pavlefshmëri të kontrollit të integritetit.
Le të shohim një rast austriak: Karl Heinz Grasser, ish ministri i financave në Austri u dënua dy vite më parë me 8 vjet burg për rolin e tij në një skandal korrupsioni të profilit të lartë. Grasser u gjet fajtor për korrupsion dhe evidenca false në një marrëveshje për të shitur qindra apartamente të shtetit. Gjykata në Vjenë provoi se Grasser ishte përfshirë në transaksione që vlenin më shumë se 9.6 milionë euro, në tre llogari të ndryshme bankare në Lihtejnshtejn, e njohur si Parajsë Fiskale nga BE, në të njëjtën listë ku janë edhe Ishujt Cayman.
“Pse njerëzit e ndershëm të biznesit kanë nevojë për një llogari bankare në Lihtejnshtejn?”, tha gjyqtari Marion Hohenecker në 2020 në Gjykatën e Vjenës ndërkohë që jepte verdiktin për ish-ministrin e financave me 8 vite burg.
Konkluzioni: Kompanitë offshore pronarët e të cilave janë në parajsë fiskale, janë ligjore në princip, megjithatë, risku që forma ligjore mund të përdoret për aktivitete që dhunojnë legjislacionin shqiptar e ndërkombëtar, rritet. Kjo është veçanërisht e vërtetë në çështjen e projekteve publike, kur këto kompani marrin përfitime (para apo asete publike) kur kontrolli i integritetit të tyre bëhet mëse i nevojshëm ndërkohë që ata mund të shërbejnë si një mënyrë për praktika korruptive.
Është shumë e vështirë të kuptohet se pse autoriteti kontraktor publik do të duhet të inkurajojë dhe të kontraktojë një operator ekonomike që ka për qëllim evazionin fiskal të parave publike, kur është një obligim ligjor që ky autoritet të veprojë si një gardian i parave publike dhe me përgjegjësi fiskale. Në këtë sens, në sesionin në vazhdim do të analizohet hapi i parë që është ndërmarrë në legjislacionin shqiptar në mënyrë që të deklarohen përfituesit dhe nëse kjo masë është e mjaftueshme për të rritur kredibilitetin publik në rastet e prokurimeve publike./BIRN
*Pjesë e raportit të kontrollit të Integritetit në rastet e prokurimit publik në Cluster1, për marrëdhëniet e Shqipërisë me BE, realizuar nga Albanian Institute of Science dhe Kingdom of the Netherlands