Shqipëria përkeqësohet në progresin social, problem liria dhe arsimi

Shqipëria përkeqësohet me 4 vende, duke u renditur në vendin e 57 nga 170 shtete në Indeksin e Progresit Social* (SPI) 2023.

Nga të gjithë komponentët, Shqipëria është vlerësuar me më shumë pikë te siguria personale dhe strehimi, duke u renditur në vendin e 39 në botë.

Performancë të mirë ka edhe sa i përket ushqyerjes dhe kujdesit bazë mjekësor, aksesit në arsimin bazë, aksesit në informacion dhe komunikim, të drejtat personale, në shëndetësi dhe në cilësinë e mjedisit.

Megjithatë shumë prej komponentëve janë përkeqësuar me të paktën 10 pozicione, siç janë arsimi bazë, shëndeti dhe arsimi i avancuar.

Ashtu si edhe në raportin e një viti më parë dy komponentët që na rendisin mes vendeve të fundit në indeks janë Liria Personale dhe Zgjedhja dhe Cilësia e ujit dhe Kanalizimet, duke u renditur përkatësisht në vendin e 130 dhe 94 nga 170 vende të marra në studim.

Shqipëria renditet në vend të parë në nënkomponentët për barazinë gjinore në arritjet dytësore (nr. 1), qasjen e energji elektrike (nr. 1) dhe lirinë e lëvizjes së brendshme (nr8).

Vendin e parë e kryeson Danimarka me 90.38 pikë, duke tejkaluar Norvegjinë (vendi i dytë nga i pari një vit më parë), vendi i tretë Finlanda, Islanda në vendin e 4-të dhe Zvicra në vendin e pestë.

Sa i përket vendeve të rajonit, Shqipëria lë pas vetëm Maqedoninë e Veriut, e cila renditet në vendin e 60-të, Serbia (46-të), Mali i Zi në vendin e 45 dhe Bullgaria në vendin e 43. Kosova nuk përfshihet në indeks.

Indeksi i Progresit Social: Bota ka rënë në recesionin e parë të progresit social

Sipas Indeksit të Progresit Social 2024, për herë të parë bota ka rënë në përgjithësi në progresin social. Në total, 61 vende panë një rënie të ndjeshme të progresit të tyre social në vitin 2023 dhe 77 të tjera mbetën në të njëjtin vend. Vetëm 32 vende panë një përparim real.

Sot, katër nga pesë njerëz në botë jetojnë në një vend ku përparimi shoqëror është në stanjacion ose në rënie.

Kjo rënie po ndodh teksa po kalojmë në vitin më të madh zgjedhor në histori, me më shumë se gjysmën e popullsisë së botës, katër miliardë njerëz, që shkojnë drejt qendrave të votimit.

Meqenëse 4 nga 5 njerëz në botë jetojnë në vende që nuk kanë përparim ose nuk shkojnë prapa në progresin social, viti 2024 do të jetë një vit vendimtar ku zyrtarët e zgjedhur duhet të jenë përgjegjës për të adresuar rëniet në shëndetësi, arsim, të drejta e njeriut dhe fusha të tjera thelbësore që ndikojnë në mirëqenien e njerëzve. Gjetjet theksojnë se rezultati i Indeksit të Progresit Social në botë ra me 0.31 pikë nga 2022 në 2023.

Indeksi i Progresit Social 2024 tregon gjithashtu:

Progresi social i Shteteve të Bashkuara ka rënë që nga viti 2011, dhe, si rezultat, SHBA-të janë zhytur në vendin e 29-të dhe në nivelin e dytë të progresit social botëror.

Po ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar ka rënë në progresin social që nga viti 2011. Ajo ka rënë me 8 vende në renditje për të qenë e 21-ta në botë dhe ka zbritur në nivelin e dytë të progresit shoqëror.

Danimarka renditet e para në Indeksin e Progresit Social 2024, me një rezultat prej 90,38 ndërsa Sudani i Jugut është në fund, në vendin e 170, me një rezultat prej 25,93. Gjermania, e renditur e dhjeta me një rezultat prej 87.64, është vendi me performancën më të mirë të G7.

*Indeksi i Progresit Social është një indeks i përbërë i treguesve socialë dhe ambientalistë që mat tre dimensione të progresit social: Nevojat bazë njerëzore, bazat e mirëqenies dhe mundësitë.

*Indeksi i Progresit Social 2023 përdor 12 komponentët dhe 60 treguesit e tij për të matur performancën sociale të 167 vendeve./Monitor.al

Artikulli paraprakArtan Hoxha: Boom-i i ndërtimit në kryeqytet ka burim narkotrafikun dhe korrupsionin
Artikulli tjetërDyshohet se shkeli ligjin, shkarkohet drejtoresha e Kadastrës Sarandë