Shqipëria po boshatiset, por politika e vjetër nuk ofron zgjidhje

Pagat e ulëta, kostot e larta të jetesës dhe standardet e papërshtatshme të shërbimeve i shtyjnë të rinjtë shqiptarë të largohen nga vendi. Edhe pse një shumicë dërrmuese pritet të votojë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pak prej tyre presin ndryshim.

Endri Tahiri është fotograf me banim në Tiranë, por synon të zhvendoset në Evropë së shpejti. Ai ka kryer disa shërbime fotografike për klientë në Itali dhe Zvicër dhe aty i ka lindur edhe ideja për të emigruar.

“Dëshira për t’u larguar nga Shqipëria është e përbashkët për shumicën e njerëzve që njoh,” tha 36-vjeçari për “Citizens”.

Edhe Aurora Çaushi, ekonomiste 32-vjeçare, shprehet se nëse do t’i ofrohej mundësia për të emigruar, ajo nuk do të hezitonte.

“Duke parë situatën në këto 30 vite, nuk kam shpresë për ndryshim, pavarësisht se cila forcë politike vjen në pushtet,” theksoi ajo.

Të dhënat e Censit 2023 treguan se dëshira për t’u larguar nga vendi është e madhe. Shqipëria po boshatiset dhe ata që po ikin janë të rinjtë. Popullsia e vendit ka rënë në 2.4 milionë banorë, ku vetëm 488 mijë janë nën 18 vjeç, ndërsa 436 mijë janë mbi 65 vjeç.

Për të kuptuar më mirë prirjen e emigracionit, ‘Citizens’ realizoi një pyetësor online me pyetjen: “A doni të largoheni nga Shqipëria?”, të cilin e plotësuan 70 persona të rastësishëm. Anketa tregoi se vetëm një në çdo dhjetë persona që iu përgjigjën pyetjeve dëshironte të qëndronte në Shqipëri; pjesa tjetër ose donin të largoheshin (72%) ose ishin të pavendosur (18%).

“Dikush që dëshiron ta relativizojë këtë përqindje mund të argumentojë se këto të dhëna reflektojnë ‘dëshirë’ dhe ‘paqartësi’. Megjithatë, në terma konkretë kemi vetëm 10% të sigurt se do të vijojnë të jetojnë në Shqipëri,” analizoi për Citizens antropologu dhe studiuesi i fenomenit të migrimit, Nebi Bardhoshi.

Sipas të dhënave, 41% e të anketuarve ishin të moshës 25-35 vjeç. Pjesa tjetër ishte nga 36 deri në 56 vjeç.

Arsyet kryesore për emigrimin përfshijnë pasigurinë në rend, shëndetësi dhe arsim (41%), ndërsa një pjesë tjetër e konsiderueshme (18%) duan të largohen për një të ardhme më të mirë për familjen e tyre.

Ndërkohë, ra në sy se vetëm 8% e lidhnin dëshirën për të emigruar me vështirësitë ekonomike.

Antropologu Bardhoshi vëren se, ndonëse edhe në vitet ’90 shqiptarët largoheshin për një “jetë më të mirë”, asokohe motivi kryesor ishte ekonomik. Sot, shqiptarët duket se kërkojnë shtete që garantojnë siguri, arsim dhe shëndetësi.

“Edhe atëherë mungesa e shtetit të së drejtës ishte një faktor kyç, por ekzistonte shpresa se Shqipëria do të ndërtonte një demokraci funksionale,” shpjegoi Bardhoshi.

Një tjetër tregues i dëshirës për të emigruar është aplikimi për Lotarinë Amerikane: 30% e të anketuarve thanë se kishin aplikuar të paktën tre herë gjatë jetës së tyre, ndërsa 21% thanë se aplikojnë çdo vit.

“Kjo mungesë shprese nuk lidhet thjesht me të kaluarën totalitare, por me dështimin e elitës politike bashkëkohore për të ndërtuar një demokraci funksionale,” argumentoi Bardhoshi.

Sa i përket angazhimit politik, 70% e të anketuarve thanë se do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por 75% e tyre thanë se nuk kishin besim se vota e tyre do të sillte ndryshime domethënëse.

Kolindo Vjerdha, i cili angazhohet në hulumtime te organizata Qëndresa Qytetare, vëren se të rinjtë ndihen të shkëputur nga politika dhe apatikë ndaj aktualitetit. Ai e argumenton këtë me të dhënat e pjesëmarrjes së të rinjve në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, ku sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vetëm 1.25 milionë shqiptarë votuan.

Sipas Vjerdhës, është e domosdoshme që të krijohen kushte që të rinjtë të ndihen të përfaqësuar dhe të besojnë se vota e tyre ka vlerë.

“Për shumë të rinj, vota duket si një detyrim i domosdoshëm, që mund ta cilësoja si të nxitur nga faktorë të jashtëm, si presioni i familjes, puna apo lidhje të tjera personale, dhe jo si një mundësi për të shprehur një vullnet të vërtetë për ndryshim,” përfundoi ai./ citizens.al

Artikulli paraprakHetimi ndaj Këlliçit për falsifikimin e diplomës, nëndrejtoresha e Harry Fultz paraqitet në SPAK
Artikulli tjetër“Jemi vendi më i populluar, ekonomikisht më i fuqishmi”- Kandidati gjerman për kancelar: Pa ne asgjë nuk ecën përpara në Evropë!