Shqipëria rekord vdekjesh nga Covid-19, reagon Presidenti: Të ndërmerren masa sa më parë!

Presidenti Ilir Meta e ka quajtur një fakt alarmant grafikun e fundit të publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), sipas të cilit Shqipëria kishte rritjen më të lartë të vdekjeve në Europë në vitin 2020, në raport me mesataren e 2015-2019.

Kreu i shtetit, në një postim në rrjetet sociale i ka bërë thirrje Komitetit Teknik të ekspertëve dhe autoriteteve “të analizojnë me përgjegjësi këto të dhëna, si të rishihen me përgjegjësi të gjitha protokollet, masat për parandalimin dhe trajtimin e pandemisë, në mënyrë transparente dhe bashkëpunuese me qytetarët”.

“Jemi ende në valën e pandemisë dhe ndërhyrjet përmirësuese dhe korrigjuese të masave antiCovid duhet të ndërmerren sa më parë”, shkruan Presidenti Meta.

Reagimi i plotë i Presidentit

Renditja e Shqipërisë si vendi me vdekshmëri më të lartë në Europë nga COVID-19 sipas FMN, është një fakt alarmant, që duhet të merret shumë seriozisht, për më tepër që vendi ynë është ende me moshë mesatare më të re të popullatës krahasuar me vendet e tjera të BE.

I bëj thirrje, Komitetit Teknik të ekspertëve dhe autoriteteve të analizojnë me përgjegjësi këto të dhëna, si të rishihen me përgjegjësi të gjitha protokollet, masat për parandalimin dhe trajtimin e pandemisë, në mënyrë transparente dhe bashkëpunuese me qytetarët.

Duhen zbuluar dhe eliminuar pikat e dobëta dhe duhet ndërhyrë urgjentisht për të parandaluar këtë shkallë të lartë të humbjeve të jetëve.

Jemi ende në valën e pandemisë dhe ndërhyrjet përmirësuese dhe korrigjuese të masave antiCovid duhet të ndërmerren sa më parë.

Exit mobile version