Shqipëria ringrihet

Në fillim Brexit, më pas Presidenti i zgjedhur, Donald Trump. Tani, tërmeti politik që po shkund Perëndimin, rrezikon udhëheqës të tjerë në Europë.
Çfarë do të ndodhë në Itali, atje ku Matteo Renzi e ka kthyer referendumin për ndryshimet kushtetuese, në një votëbesim për vetë Kryeministrin? Renzi vizitoi Presidentin dy javë më parë për të marrë mbështetjen e tij për referendumin që do të mbahet në Itali. Pas vizitës atje ai nuk u kursye edhe me një mesazh në Facebook vetëm 24 orë para ditës së votimeve të Shtetet e Bashkuara. “Do të donim që Shtetet e Bashkuara të kishin Presidente një grua”, ishte mesazhi i shkurtër i Renzit në rrjetet sociale. Mesazhi i drejtohej komunitetit të madh italian në Shtetet e Bashkuara që ai të votonte për Hillary Clinton. A e dëgjuan italianët e Amerikës Renzin? Pakkush mund të thotë se dha efekt sepse italianët e Amerikës votuan si amerikanë dhe jo si italianë. Tani nuk dihet se si mund të konvertohet në Itali mbështetja e Obamës për Renzin?
Pyetjet janë të pafund për Europën.
Çfarë do të ndodhë në Austri, atje ku për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kreu i shtetit mund të vijë nga e djathta ekstreme?
Çfarë do të ndodhë në Holandë, atje ku partia antiislamike e Vilderit do të fitojë 27 vende në zgjedhjet e marsit, duke e fuqizuar ndikimin e saj?
Çfarë do të ndodhë në Francë, atje ku Le Peni shpall se, “një botë e re po shfaqet dhe ekuilibri global i fuqive po ribëhet, për shkak të zgjedhjes së Donald Trumpit”?
Çfarë do të ndodhë në Gjermani, atje ku ka paralele të qarta mes pakënaqësisë që prodhoi fitoret e Brexit dhe Trump dhe pakënaqësive të mbështetësve të AfD? Reagimi i tyre mund t’i japë AfD-së një “sukses surprizë” në zgjedhjet federale të 2017-ës.

Po në Shqipëri?

Këtu rrënjët janë mjaft të thella të së keqes. Demokracia e ka humbur busullën. “Ne shqiptarët i kemi shumë herë më të mëdha problemet sesa amerikanët. Pabarazi ekstreme, varfëria e tejskajshme dhe në masë të madhe, përqendrim i pasurisë në një grup të vogël, riciklimi i elitave pa ide dhe shumë korrupsion.
Por pse Amerika shumë më pak e motivuar se ne për të bërë këtë gjë, gjeti fuqinë për të reaguar, ndërsa ne jo.
Mësimi unik që vjen gjithnjë prej demokracisë amerikane është se një shtet i së drejtës është një shtet i shanseve të barabarta. Edhe për Trump. Dhe zgjidhja e problemeve fillon këtu, kur njerëzit nuk mund t’i përjashtosh, në të kundërt do të dënohesh. Amerikanët kur votuan për Trump, votuan për zgjedhjet e tyre, edhe ne shqiptarët duhet të dimë të votojmë për veten dhe jo për të tjerët”, shkruante “Monitor”.
Kreu i qeverisë në Tiranë mori shpatën në fushatë dhe u ndërsye ndaj Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. E cilësoi të keqen e madhe, tha dashtë Zoti nuk fiton, tha se është turpi i civilizimit. Idiotësirat e tij janë të pafund dhe i shkojnë për shtat një Kryeministri me kartelë, por se përtej çdo marrie në deklaratat e Ramës kishte një interes akoma dhe më të madh. Të bënte heroin para qarqeve okulte që luftonin Trump me objektivin e qartë që ata të forconin pushtetin autoritar të tij në Shqipëri. Tani ato qarqe kanë dështuar. Krushku Soros është në një dëshpërim të madh dhe e ka të vështirë të ndihmojë dhëndrin e tij në Shqipëri. Trump ka fituar. Demokracia ka triumfuar. Basti i vënë i Ramës është humbur. Mesazhet e ndryshimeve të mëdha vijnë nga Amerika. Shqipëria nuk pret çekun e bardhë, por rikthimin e vlerave të demokracisë ku të garantohet vota e lirë. Qarqet okulte që mbështesnin organizatën kriminale në pushtet në Shqipëri po bien dhe bashkë me të edhe simboli i regjimit korruptiv dhe autoritar të partisë-shtet. Kjo mund ta bëjë regjimin më agresiv, por do të jenë vetëm përpëlitje. Të humburit kanë nisur të bëjnë kalkulimet. Rama mendon se mund ti bëjë të besojë shqiptarët se do të jetë më mirë të hanë bar se sa të shkelin parimet mafioze të funksionimit të shtetit. Epoka e ndryshimit të madh ka nisur. Shqipëria nuk mund të mbetet jashtë kësaj përmbysje të madhe të një establishmenti të kalbur dhe të refuzuar kaq masivisht.

“RD”

Exit mobile version