Edhe pse gjatë vitit 2015, tregu i sigurimeve në Shqipëri shënoi rritje të penetrimit, ai nuk po arrin dot t’u afrohet vendeve të rajonit. Sipas të dhënave të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, primi për frymë gjatë vitit të kaluar ishte rreth 35.2 euro ose rreth 6 euro më shumë se viti 2014. Sipas statistikave, gjatë shtatë viteve të fundit, primi i sigurimeve për frymë ka qenë vazhdimisht në rritje, por pavarësisht kësaj nuk po u afrohet dot vendeve fqinje apo atyre të Ballkanit Perëndimor.
Në rajonin e Evropës Juglindore, densiteti i sigurimeve llogaritet në rreth 100 euro për frymë, ndërsa në Evropën Perëndimore, kjo shifër llogaritet mesatarisht në rreth 2,000 euro.
Në Shqipëri, edhe penetrimi i sigurimeve në përqindje ndaj PBB-së, është i ulët duke u llogaritur në rreth 0.9%. Sllovenia e ka këtë shifër në rreth 5.2%, Kroacia në rreth 3%, Mali i Zi në rreth 2.2%, ndërsa Maqedonia dhe Kosova kanë një shifër të përafërt me njëra–tjetrën në rreth 1.4-1.5%.