Shqipëria vendi me informalitetin më të lartë në rajon/ RCC: Konkurrenca e padrejtë vijon të pengojë zhvillimin e tregut

Ekonomia informale, e cila përfshin aktivitete jashtë kuadrit ligjor dhe rregullator, mbetet një sfidë e vazhdueshme në shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e “Barometrit të Ballkanit” për vitet 2023 dhe 2024, tregojnë se perceptimi mbi ekonominë informale dhe konkurrencën e padrejtë është përmirësuar lehtë, por mbetet një shqetësim i moderuar.

Sipas këtij raporti lidhur me shkallën e informalitetit në vend, Shqipëria ka marrë një vlerësim prej 2.1 pikë, çka tregon se bizneset në vend e perceptojnë këtë faktor si një pengesë të moderuar, por me një ndikim më të vogël krahasuar me vitin 2023, kur ky tregues ishte në nivelin e 2.4 pikëve. Edhe krahasuar me mesataren e Ballkanit Perëndimor, e cila është 2.5 pikë, Shqipëria renditet më keq. Ky fakt tregon se problemet me ekonominë informale në Shqipëri janë më të mëdha në krahasim me disa vende të tjera të rajonit. Theksojmë se vlerësimi është nga 1 në 4 pikë, ku 1 do të thotë pengesë e madhe, 2-pengesë e moderuar, 3-pengesë e vogël dhe 4-nuk ka pengesë.

Por, ky vlerësim për Shqipërinë lidhur me informalitetin tregon se ka ende sfida të konsiderueshme të lidhura me konkurrencën e parregulluar. Bizneset informale operojnë me më pak kosto, pasi shmangin tatimet gjë që krijon një fushë të pabarabartë, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Kur krahasohet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria paraqitet në një situatë më pak të favorshme. Vendet si Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë marrë një vlerësim prej 2.6 pikë duke treguar se bizneset atje e perceptojnë informalitetin si një pengesë më të vogël për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, Kosova dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu përballen me probleme të ngjashme me vendin tonë përsa i përket ekonomisë informale. Këto vende u vlerësuan përkatësht me 2.3 pikë dhe 2.4 pikë.

Exit mobile version