Shqipëria, vendi rekord në rajon për taksat e larta

Sipas të dhënave të tjera krahasuese, Shqipëria mban rekord në rajon për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%…
Punonjësit shqiptarë me paga të larta, ndryshe nga ata të Kosovës e Maqedonisë, janë më të prirur të mos deklarojnë të ardhurat e tyre, duke preferuar të qëndrojnë të padeklaruar.
Rezultati ka dalë në studimin “Punonjësit në hije, ekonomia e fshehur dhe puna e padeklaruar në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë”, të realizuar nga CRPM në Maqedoni, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri dhe D4D në Kosovë.
“Sistemi tatimor progresiv i implementuar në Shqipëri, pa masa pozitive për të nxitur punonjësit me paga të larta të deklarojnë punën dhe paguajnë taksat e tyre, mendohet të rrisë nxitësit për aktivitete të fshehura ekonomike domethënë evazion fiskal”, thuhet në studim.
Të anketuarit në studimin e përbashkët janë pyetur nëse janë dakord me pohimin “Do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët”.
Përgjithësisht pritet që individët me të ardhura më të ulëta të kenë më shumë të ngjarë të ndajnë opinionin se ata do të preferonin të ishin punonjës të padeklaruar me një pagë më të lartë, sesa të deklaruar me një pagë më të ulët. Megjithatë për Shqipërinë rezulton se niveli i pranimit rritet për individët më të ardhura të larta (>728 euro) dhe më shumë prej tyre ka të ngjarë të bien dakord me këtë opinion sesa individët që i përkasin kategorisë së mëparshme të të ardhurave.
Të dhënat për Shqipërinë megjithatë tregojnë një histori të ndryshme nga Kosova dhe Maqedonia. Në përgjithësi ajo që konstatohet për Maqedoninë dhe Kosovën është se në rastin e mosrënies dakord me pohimin (do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët) kurba ka tendencë rritëse me rritjen e nivelit të të ardhurave. Në Shqipëri, punonjësit shqiptarë që jetojnë në familje që fitojnë deri në 728 euro, pajtohen dhe nuk pajtohen me deklaratën, në përqindje relativisht të ngjashme me atë që mund të shihet në Maqedoni dhe Kosovë. Por, niveli i pranimit, bie nga 65% në 61% për punëmarrësit më të pasur, që kanë të ardhura më të mëdha se 728 euro. Pra, në rastin e Shqipërisë, me rritjen e nivelit të të ardhurave ulet mospranimi me deklarimin e sipërpërmendur.
Sipas studimit, mund të ketë shumë faktorë të ndërthurur, që janë përgjegjës për këtë mospërputhje, por njëri prej tyre mund të jetë i lidhur me faktin se që nga viti 2014 Shqipëria anuloi taksën e sheshtë 10% të tatimit mbi të ardhurat dhe zbatoi tatimin mbi të ardhurat progresive prej 13% për të ardhurat mes 220 dhe 950 euro, si dhe një tatim i të ardhurave prej 23% e të punësuarve me të ardhura më të mëdha se 950 euro. Tatimi progresiv i të ardhurave është një barrë shtesë e taksave, që mund të nxisë punonjësit me të ardhura më të larta, të kenë një qëndrim negativ ndaj formalizimit të bizneseve, të cilat nga ana tjetër mund t’i bëjnë ata që të kërkojnë mënyra se si të shmangin e të mos deklarojnë aktivitetin e tyre ose masa të tjera për të shmangur pagimin e taksave, pavarësisht se i kanë mundësitë për ta bërë këtë.

Rezultatet e sondazhit

Duke vlerësuar nivelin e pranimit me deklarata të ndryshme që lidhen me ekonominë e fshehur, atëherë bëhet e qartë se niveli aktual i kënaqësisë me pagën e tyre, për shumë punëtorë, është shumë më i rëndësishëm se siguria afatgjatë, që lidhet me kontributet shoqërore dhe shëndetësore të paguara rregullisht.
Specifikisht, 22.1% e të anketuarve në Maqedoni janë përgjigjur se preferojnë të jenë punëtorë të padeklaruar me një pagë më të lartë, se sa punëtorë të deklaruar me një pagë më të ulët, 22.7% në Shqipëri dhe mjaft interesante, vetëm 7% në Kosovë. Kosovarët kanë perceptime pozitive mbi ekonominë formale dhe e shohin atë si më të qëndrueshme në terma afatgjatë, duke pasur parasysh përfitimet që ata do të kenë në aspektin e kontributeve të pensionit.
Mospajtimi me deklaratën (do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët) nga ana tjetër është i fortë në të gjitha këto tri vende që variojnë nga 65.3% e të punësuarve në Maqedoni (përmirësim nga 58.6% në vitin 2014), 58.5% e të punësuarve në Shqipëri dhe 69.1% në Kosovë.
Midis 67% dhe 72% e të punësuarve maqedonas nuk pajtohen me deklaratën (do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët), ndërsa midis 22% dhe 17% prej tyre pajtohen me deklaratën në mënyrë të ngjashme në të gjitha nivelet e të ardhurave të familjes. Kjo tregon një përmirësim të madh nga viti 2014 (sheshimi i kurbave marrëveshje / mosmarrëveshje), veçanërisht në nivelet e të ardhurave të familjes që luhaten nga 0 deri në 325 euro.
Punonjësit e Kosovës duket se po ndjekin perceptime të ngjashme si ata në Maqedoni në vitin 2014, që shkon në favor të argumentit se problemi i punës së padeklaruar është në masë të madhe i lidhur me nivelet e larta të varfërisë dhe është në të vërtetë një mekanizëm përballues i përdorur nga individët që përpiqen që të mbyllin nevojat e tyre me financat që kanë. Megjithatë, ky lloj mendimi dhe sjellja e tij konsekuente rrit rrezikun, që grupet e pafavorizuara ekonomikisht të jenë edhe më shumë në rrezik, kur vjen nevoja për pagesa sociale.
Të dhënat e paraqitura në studim janë të bazuara në tre pyetësorë të popullsisë me metodologji identike, me përfaqësim rajonal dhe demografik të kryera në maj dhe qershor 2016 në Maqedoni (1097 pjesëmarrës), Shqipëri (1102 pjesëmarrës) dhe Kosovë (1100 pjesëmarrës).

Shqipëria, taksat më të mëdha mbi pagat e larta në rajon

Sipas të dhënave të tjera krahasuese, Shqipëria mban rekord në rajon për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta.
Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.
Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.
Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%.
Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro. Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%).
Në Bosnje-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.

Monitor

Artikulli paraprakVendimet e para të Trump, ç’do ndodhë me emigrantët?
Artikulli tjetërFinancat e pranojnë: Na mungojnë 100 milionë euro