Shqiptarë bëhuni gati! Do paguani 186 miliardë lekë taksa shtesë për koncesionet e Ramës

Kontratat koncesionare të rrugëve do t’i kushtojnë taksapaguesve në tre vitet e ardhshme plot 186 miliardë lekë ose 18.6 miliardë (lekë të reja). Kjo nënkupton se në ditët e ardhshme pritet një valë e fortë e rritjes drastike të taksave të shqiptarëve që do të shkojnë në duart e 9 oligarkëve të Ramës.
Shkrimi i plotë i BIRN
Katër segmente rrugësh të reja dhe një kontratë mirëmbajtjeje të dhëna me koncesion deri tani pritet t’i kushtojnë taksapaguesve 153.8 miliardë lekë gjatë trembëdhjetë viteve të ardhëshme dhe këto janë vetëm një pjesë e kontratave të shumta koncesionare të nënshkruara nga qeveria e shkuar dhe ajo aktuale.
Lista e investimeve publike të publikuar nga Ministria e Financave rendit kontratat koncesionare sipas kostos që ka secila vit pas viti dhe sipas kostos totale. Shifrat e dhëna nga kjo ministri përfshijnë koston e ndërtimit si dhe interesin financiar të paguar, i cili duket se nuk përfshihet në koston e tenderuar dhe të njohur më parë.
Interesi që pritet të pagohet për këto kontrata është mbajtur gjysmë i fshehtë dhe dhe asnjë nga zyrtarët e qeverisë nuk ka marrë mundimin ta shpjegojë siç duhet.
Kontrata e parë në listë lidhet me mirëmbajtjen e rrugës Milot-Morinë. Kjo kontratë financohet nga njëra anë nga përdoruesit e rrugës përmes tarifave dhe nga ana tjetër, nga taksapaguesit përmes dy zërave, njëri i njohur si “subvencionim” dhe tjetri i njohur si “defektet e fshehura të kontratës koncesionare”. Për të dyja zërat, taksapaguesit do të paguajnë përgjatë viteve 9.1 miliardë lekë ose 73 milionë euro sipas kursit aktual të këmbimit. Këto janë veçmas të ardhurave të koncesionarit nga tarifat e rrugës.

Kontrata e dytë në listë është ajo e ndërtimit të 50 kilometrave rrugë që do të lidhë Tiranën me Dibrën. Ndërtimi i rrugës së Arbrit sipas rezultatit të tenderit të qeverisë kushton 40.3 miliardë lekë ose 320 milionë euro. Shqiptarët do të fillojnë të paguajnë 2.5 miliardë lekë në vit duke filluar nga viti 2019.
Kontrata e tretë është ndërtimi i 21 kilometrave autostradë nga Vora në Kashar, për të cilën është parashikuar se do t’i kushtojë taksapaguesve 54.4 miliardë lekë (435 milionë euro). Me një kosto prej 20 milionë eurosh për kilometër ose 20 mijë euro për metër linearë, kjo është një kosto e krahasueshme me koston e ndërtimeve të tuneleve më të vështira kudo nëpër planet.
Mënyra e dhënies së kësaj kontrate koncesionare mund të tregojë diçka mbi arsyet e kësaj shume. Ajo filloi me një “propozim të pakërkuar” nga një kompani private e quajtur Gener 2 dhe u pasua me një tender që efektivisht nuk kishte garë. Rezultati i tenderit prej 226 milionë euro nuk përfshin interesat që do të paguhen mbi këtë shumë.
Segmenti i tretë në listë është dhënë gjithashtu me koncesion të pakërkuar dhe synon të ndërtojë 17.3 kilometra rrugë në segmentin Milot – Balldren. Kostoja totale e parashikuar është 36.5 miliardë lekë ose 2.1 miliardë lekë për kilometër. Me kursin aktual të këmbimit kjo autostradë do të kushtojë 17.1 milionë euro për kilometër ose 17 mijë euro për metër linear.
Segmenti i katërt është një rrugë dykalimëshe nga Orikumi për në Dukat. Me gjatësi prej 15 kilometrash, kostoja e ndërtimit të saj është 50 milionë euro por kostoja totale bashkë me interesat është 11.8 miliardë lekë (94.4 milionë euro me kursin aktual).
Kontratat koncesionare të rrugëve do t’i kushtojnë taksapaguesve 3.3 miliardë lekë më 2019, 7 miliardë më 2020 dhe 8.3 miliardë lekë në vitin 2021, sipas parashikimeve të buxhetit të shtetit.

Exit mobile version