Shqiptarë marrin 35% të huave për mbijetesë

Familjet shqiptare kanë rritur huamarrjen për konsumin e mallrave të përditshëm. Banka e Shqipërisë në raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të 2016-ës, bëri të ditur se 35% e familjeve huamarrëse e kanë marrë kredinë  për konsum.
Banka intervistoi një kampion rastësor prej 1,209 familjesh, ku rreth 54% u përkasin zonave urbane dhe 44% zonave rurale.
Rreth 30% e familjeve kanë deklaruar se, kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka rënë pak krahasuar me 6-mujorin e kaluar, por rezulton më e lartë se një vit më parë. Në 94% të rasteve, huamarrja është në lekë. Në 43% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale (banka dhe institucione jobankare) dhe në 57% të rasteve u janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht në cash. Kjo shpërndarje është zhvendosur në favor të huamarrjes formale kundrejt asaj joformale, si rezultat i rritjes së rasteve të huamarrjes nga bankat. Tre qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten për konsum (35% e rasteve të huamarrjes), blerje/riparim prone (31% e rasteve) dhe zhvillim biznesi (13% e rasteve). Në ndryshim nga prirja e viteve të fundit, gjatë periudhës së vrojtuar, shpërndarja e qëllimit të kredisë është zhvendosur në favor të huamarrjes për blerje/riparim prone, në përputhje me zhvillimet në tepricën e kredisë së individëve. Familjet huamarrëse vlerësojnë rënie të këstit të kredisë gjatë periudhës referuese, duke reflektuar uljen e normës së ponderuar të kredisë për individët. Në lidhje me aftësinë paguese, vlerësohet një përmirësim i lehtë i aftësisë paguese në terma vjetorë dhe gjashtëmujorë, ndërsa pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit janë më optimiste. Kërkesa për kredi mbetet e dobët, por shënon rritje të lehtë në pjesën e parë të vitit. Mundësia për të marrë hua është rritur lehtë në pjesën e parë të vitit, por mbetet poshtë nivelit të mesatares afatgjatë. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, numri i të punësuarve shënon rritje mbështetur nga punësimi në sektorin privat. Gjithsesi, balanca financiare (të ardhura-shpenzime) të familjeve shënon ngushtim, për shkak të rritjes më të shpejtë të shpenzimeve në krahasim me të ardhurat.

Artikulli paraprakA vlerëson FEB reformat e qeverisë në shëndetësi dhe arsim?
Artikulli tjetërKush detyrohet të vendosë kamera