Shqiptarë, ne u kthyem! Teatri në Kuvend dhe pazari në hije do vazhdojë!

Nga Gjergji Nika

Parlamenti i ri nisi punimet në sesionin e shtatorit. Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Shqipërisë kontrollon qeverinë, por faktikisht Kuvendi i sotëm kontrollohet nga qeveria. Dhe jo vetëm mazhoranca. Edhe opozita, e cila është në një gjendje mjerane, e copëtuar, e përçarë, pa vizion e perspektivë.

Kuvendi normalisht duhet të reflektonte pluralizëm konstruktiv dhe qasje alternative, por opozita ka tre vjet e do të bëhen katër që investon kundër vetes dhe ndjehet komode si shtojcë e mazhorancës, duke votuar haptazi projektligje që mbrojnë korrupsionin dhe sulmojnë Drejtësinë!

Kuvendi duhet të miratonte reforma dhe të përfaqësonte interesat qytetare, por u bë kohë që në agjendë nuk ka asnjë reformë dhe qytetarët ndjehen të papërfaqësuar. Në kohë krize ekonomike, emigrimi masiv të rinisë dhe zhgënjimeve në rritje; në kohë kur forcat politike përgatiten për zgjedhjet e ardhshme në prill apo në maj Kuvendi merret me vogëlsira, sidomos kur Kryetarja e re e Kuvendit miraton çdo hakmarrje të kryetarit të grupit të Rithemelimit ndaj kolegëve të tij të dikurshëm; zhvendosjen e vendeve në karriget e Kuvendit dhe largimin nga Komisionet.

Kjo i ngjan asaj shprehjes, të cilën e kam përdorur në titull: “Shqiptarë, ne u kthyem! Teatri në Kuvend dhe pazari në hije do vazhdojnë!”

Dhe shqiptarët do të shohin çdo ditë, çdo natë, në TV e çdo seancë në Kuvend, një mazhorancë pa program të mirëfilltë politik, por me ide e synime të qarta ekonomike dhe një opozitë “zyrtare” pa busull, pa kauza, pa program, në luftë me veten, që për hallin personal të Berishës i fal në tryezë mandatin e katërt Ramës; një opozitë, që bën sikur zihet në Kuvend, por që bën pazare për kulla me mazhorancën; një opozitë, që të vetmen kauzë ka “lirimin e kryetarit”; një opozitë, që për hir të emrave të disave në listat e sigurta në zgjedhjet e ardhshme, kanë shkelur çdo moral, çdo parim, tallen me shqiptarët dhe nëpërkëmbin votën e lirë, ruajnë establishmentin 34 vjeçar, pengojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë e shqiptarëve dhe na mbajnë peng në qerthullin e tranzicionit të tejzgjatur, teksa karrige përmbysësit e flakadanëhedhësit i qeshin e i shkelin syrin njëri- tjetrit, kur s’ka kamera…

Dhe presin që shqiptarët t’i votojnë përsëri.
Të votojnë PS me gjysmën e zyrtarëve të lartë të saj në burg, nën hetim apo në arrati.

Të votojnë të rithemeluarit, të cilët janë peng i Njëshit, që paradite është me SPAK e pasdite poshtë ballkonit kundër SPAK, që në Kuvend mbron e kërkon drejtësi, por voton lirimin e të korruptuarve. Pra presin që shqiptarët të votojnë ata që kanë zgjedhur karrierën në shkëmbim të heshtjes, duke braktisur interesin publik dhe nevojën për politikë të pastër.

Të votojnë cilët nga opozita? Ata që akuzojnë kolegët e tyre si të shitur, por që haptazi e kanë shitur veten, votën, moralin, nderin? Të votojnë ata që “akuzojnë” Ramën se e la vendin pa opozitë, kur opozitën e vranë vetë ata?

Të votojnë cilët? Deputetët e PD-së, të cilët në 18 dhjetor 2021 i thanë demokratëve të “Zgjedhim të Ardhmen”, ndërsa sot e quajnë mandatin “personal” dhe bëjnë çfarë të duan me të, ta çojnë andej e këtej, që punë s’bëjnë hiç. Të votojnë këta që as duan t’ia dinë fare, as skuqen e as zverdhen por veç përdridhen…

Të votojnë ata që si kolegët e tyre berishistë, paralajmërojnë parti antiberishiste, duke e faktorizuar më shumë “të burgosurin politik”, që ka më shumë liri, se kushdo tjetër, të cilit i kanë dalë kundër dhe “kolegët e tyre”, që i heqin nga komisionet e vendet në Kuvend, se ashtu duan?

Të votojnë cilët? Të njëjtat fytyra që kanë 30 vjet deputetë?

Jo!
Shumë mirë do bëjnë qytetarët mos i votojnë më, në majë të hundës ua kanë sjellë me pallavrat e tyre dhe dëmin e madh.

Shumë mirë do të bëjnë të mos i votojnë më, sepse meritojnë më shumë. Shumë mirë do të bëjnë të mos i votojnë më, sepse po i votuan do të bëjmë hapa pas. Dhe shqiptarët do të paguajnë edhe për shumë vite vonesën historike; do të paguajnë edhe për shumë vite deficitin në kulturën politike dhe kostot e larta të dështimeve të elitës politike të tranzicionit, e cila vijon të mbaj peng pa ide dhe pa vizion, nevojat, prioritetet dhe sfidat thelbësore të shtetit dhe të shoqërisë.

Të mos votojnë më modelin e deformuar të deputetit që nuk prodhon politikë dhe nuk e kupton atë; të mos votojnë më deputetin militant e të nënshtruar ndaj kryetarit!

Të mos votojmë që deputetët nën hetim të marrin në pyetje hetuesin, SPAK-un? Të mos votojmë korrupsionin politik dhe llogaridhënien!

Të mos e votojnë më këtë klasë politike, që konsumon pushtet, nuk udhëheq e as përfaqëson; këtë sistem politik, që refuzon ndryshimin dhe ushqen oligarkët; këto parti politike, në të cilat nuk votohet, nuk diskutohet dhe as lejohet mendim ndryshe; me një elitë politike që vegjeton, riciklon veten dhe mban peng vendin pa ide e aftësi transformuese.

Exit mobile version